Vranë 15-vjeçarin në Gramsh, nis gjyqi për katër të miturit! Pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar

14/12/2023 09:25

Dërgohet për gjykim dosja për 4 të miturit, të cilët në Maj të vitit 2023, vranë me thikë 15-vjeçarin Fatjon Bici në Gramsh.

Dosja është pranuar nga gjykata e Elbasanit me të gjitha akuzat që ka kërkuar Prokuroria. Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, që jo të gjithë të miturit të gjykohen për “vrasja në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, kërkesa është refuzuar dhe gjykimi vijon me të njëjtën akuzë për të katërt.

Gjykata ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar. Ndërkohë mbrojtja ka kërkuar gjithashtu pavlefshmëri të akteve, pasi të miturit janë marrë në pyetje pa praninë e prindërve. Në këtë rast gjyqtari ka kërkuar që këto pretendime të paraqiten në seancën e radhës.

Ndaj te miturve rëndojnë akuza të renda si “vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” e 15-vjeçarit Fatjon Bici, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë” e të miturit M.L.

Seanca paraprake e një jave më parë është shtyrë pasi i mituri, i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje, e kishte marrë njoftimin për t’u paraqitur bashkë me përfaqësuesin e tij ligjor. Në këtë proces të miturit në konflikt me ligjin përfaqësohen nga avokatë kryesisht të caktuar nga gjykata, pasi familjet e tyre e kanë të pamundur të paguajnë një përfaqësues ligjor.

Të arrestuarit për vrasjen e kryer në bashkëpunim Ergi Karaj, Stiven Murati, Xhonatan Çekrezi, kërkuan një ndryshim të masës së sigurisë, nga masa burgim në masa lehtësuese, në korrik të këtij viti, por Gjykata e rrëzoi kërkesën e tyre.

Ngjarja e rëndë u shënua vetëm pak metra larg shkollës ku 4 adoleshentët i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë me thikë teksa hyri për ta mbrojtur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA