PD, padi të re në Kushtetuese/ Ankesa për kërkesën e SPAK në Kuvend për Berishën

14/12/2023 14:56

Në një kohë që Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Kuvendit heqjen e mandatit për deputetin Sali Berisha, për të mundësuar arrestimin e tij, deputetët e Rithemelimit bëjnë një lëvizje për ta penguar ndryshimin e masës ndaj ish-kryeministrit.

Padia është depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese nga deputeti Oerd Bylykbashi, i shoqëruar edhe nga sekretarët ligjorë të Rithemelimit, Ivi Kaso dhe Fran Nuri.

Demokratët i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të zgjidhë konfliktin e kompetencave ligjore mes SPAK dhe Kuvendit, “për sa i përket heqjes ose kufizimit të lirisë ndaj një Deputeti, në të gjitha format, kur këto kufizime të lirisë kryhen nga pushteti gjyqësor pa pyetur, pa kërkuar e pa marrë paraprakisht autorizimin e shprehur të Kuvendit”.

Po ashtu, në padi thuhet se duhet të shpallen të papajtueshme me kushtetutën masat e marra nga SPAK për Berishën, në lidhje me aferën Partizani, pasi nuk ishte marrë më herët autorizimi nga Kuvendi.

Deputetët e Rithemelimit kërkojnë po ashtu pezullimin e të gjitha masave të marra ndaj Berishës, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Top Channel