Ish-presidenti amerikan Donald Trump përballet me disa procese gjyqësore përpara presidencialeve të 2024-tës, të cilat synon t`i fitojë.
Por as partia e tij nuk po qëndron duarkryq dhe po bën ç’është e mundur që përballjes me drejtësinë, të mos i shmanget as kreu aktual i administratës Joe Biden, i cili gjithashtu kandidon sërish për një mandate të dytë.
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan për autorizimin e nisjes së një hetimi i cili do të përcaktojë nëse ka baza për të ngritur aktakuza për shkarkimin e Joe Biden, hapi i tyre më i madh deri më tani drejt përpjekjes për të larguar presidentin nga detyra.
Cdo republikan e mbështeti nismën që u miratua me 221 vota pro e 212 kundër dhe vjen në një moment kritik pasi në janar pritet një vendim lidhur me hartimin e neneve të shkarkimit. Kjo konsiderohet një fitore për kreun e Dhomës, Mike Johnson, i cili arriti të unifikojë partinë e tij pasi një pjesë e republikanëve i kishin rezistuar me muaj kërkimit të një hetimi zyrtar – cka e detyroi dhe paraardhësin e tij të tërhiqej dhe t’i niste verifikimet në mënyrë të njëanshme.
Hetimi për impeachmentin e presidentit fokusohet kryesisht në marrëveshjet e biznesit të anëtarëve të familjes së Joe Biden. Ata kanë gjetur tashmë prova kundër djalit të tij, Hunter Biden si dhe disa pasaktësi në deklaratat e mëparshme të Shtëpisë së Bardhë dhe kreut të shtetit, por ende nuk kanë të dhëna që të dëshmojnë drejtpërdrejtë se vendimet zyrtare të presidentit kishin për qëllim përfitimin e bizneseve të familjes së tij. Në një deklaratë të rrallë, vetë Bideni i vuri në pikëpyetje përparësitë e republikanëve në hapjen e procesit që mund të çojë drejt ngritjes së akuzave ndaj tij dhe familjes së tij.
“Në vend që të bëjnë gjithçka për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së amerikanëve, ata janë të përqendruar të më sulmojnë me gënjeshtra. Në vend që të bëjnë detyrën e tyre për punën urgjente që duhet bërë, ata po zgjedhin të humbin kohë në këtë manovër politike pabaza që madje republikanët në Kongres e pranojë se nuk mbështetet nga faktet”, tha Biden.
Procesi mund të çojë në shkarkimin e presidentit nëse gjendet fajtor në një gjyq të Senatit.
Top Channel