Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar me deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt të mërkurën në Bruksel.

Kështu thuhet në deklaratën e miratuar nga 27 kryetarë shtetesh dhe qeverish të Bashkimit Evropian.

Deklarata u bën thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës si përgjigje ndaj agresionit të saj kundër Ukrainës.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha pas samitit se porosia kryesore e ishte nevoja për integrim gradual të këtyre vendeve në bllok, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes tyre në rajon.

“A duhet t’i integrojmë sa më afër para se të hynë në BE në mënyrë graduale. Kjo është pika e parë. E dyta është rritja ekonomike. Shumë pjesëmarrës folën për bashkëpunimin në fushën e energjisë. U desh të përballemi me shantazhet e Rusisë në furnizim me energji. Kjo pati ndikim edhe në Ballkan“, tha Michell.

Ai theksoi se u bisedua edhe për përshtatje të politikave të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

”Po ashtu, [u bisedua] edhe për bashkëpunimin në fushën e migrimit. Kjo vlen edhe për sistemin e vizave“, tha ai sipas REL.

Michel përsëriti thirrjen për zgjidhjen e konflikteve dhe mospajtimeve si kusht kyç për integrim në BE.

“Duam ta përshpejtojmë punën tonë që të dyja palët të kenë një udhërrëfyes se çfarë duhet të bëjmë për të qenë të gatshëm për këtë zgjerim“ shtoi ai.

Në një postim në rrjetin social X, ai theksoi se fati i Ballkanit Perëndimor qëndron brenda BE-së.

“Ky samit i 4-të #EUWesternBalkans në 4 vjet tregon përkushtimin ndaj marrëdhënieve tona. Ne ripohojmë fuqishëm se fati i Ballkanit Perëndimor qëndron brenda BE-së”, shkruan Michel.

Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi pas samitit të BE-së Ballkani Perëndimor, se si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, rruga përpara qëndron në përmbushjen e angazhimeve të tyre në kuadër të dialogut të BE-së, teksa ka kërkuar edhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Në një konferencë për media tha se në samit u diskutua gjendja aktuale në sfondin e raportit të Komisionit për Zgjerim. Von der Leyen tha se negociatat e anëtarësimit janë pjesë e përpjekjeve të BE-së për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor më pranë bllokut evropian, duke përmendur këtu Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Sa për rikujtim, ne duam të hapim sa më shpejt negociatat e anëtarësimit për të ashtuquajturin “grupin e gjërave themelore” me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ne konsiderojmë se mund të hapim negociatat e anëtarësimit me Bosnje Hercegovinën pasi të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit. Kur bëhet fjalë për Malin e Zi, ka një moment të ri në vend me qeverinë e re për t’u rikthyer në rrugën e saj të pranimit”, tha Von der Leyen.

Ajo ndërkaq ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin angazhimet e tyre brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja, teksa pret zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Dhe së fundi si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, rruga përpara qëndron në përmbushjen e angazhimeve të tyre në kuadër të dialogut të BE-së. Ata kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara këtë vit me marrëveshjen e Ohrit, e cila tani duhet të zbatohet dhe e mirëpres shumë uljen e tensioneve në veri të Kosovës, në veçanti, për targat, energjinë elektrike dhe përgatitjen për zgjedhje të parakohshme komunale”, shtoi presidentja e Komisionit Evropian.

Para samitit presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha para gazetarëve në Bruksel se “Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës”.

Osmani tha se “do t’i informoj sot liderët evropianë për informatat që kanë mbledhur organet tona të sigurisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim”.

“Këto janë alarme që duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si parandalim, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, situata në botë bën që të gjithë të tregohen të kujdesshëm për sigurinë edhe në rajon. Ajo po ashtu tha se ka ardhur me kërkesën që menjëherë të hiqen masat ndaj Kosovës, duke i quajtur të padrejta.

“Për fat të keq, Serbia ende udhëhiqet nga njerëz, të cilët dëshirojnë ta kthejnë rajonin tonë në vitet ‘90. Ne nuk duhet të lejojmë që një mentalitet i tillë, një logjikë e tillë të triumfojë. Prandaj, ne po punojmë me partnerët tanë evropianë që të rritet siguria në Kosovë, sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë. E dyta, që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe të ketë masa ndaj Serbisë për shkak të agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq deri më tash nuk ka pasur ndonjë veprim, dhe nëse vazhdohet pa asnjë veprim, atëherë Serbia do ta marrë këtë si një nxitje”, ka thënë Osmani duke shtuar se Serbia, sipas saj, po planifikon sulme të reja.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha në Bruksel se Serbia është pajtuar plotësisht me deklaratën e BE-së për vlerat e Bashkimit Evropian, por se nuk mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Ajo tha se Serbia nuk mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë, sepse siç theksoi, qytetarët e saj të cilët dikur i kanë ndier efektet e sanksioneve gjatë viteve 1990 nuk e dëshirojnë këtë.

Deklarata përfundimtare e samitit u bëri thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar anashkalimin e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës.

“Vizioni i përbashkët i së ardhmes përfshin vlerat e përbashkëta dhe përgjegjësinë e përbashkët. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë thirrje atyre të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat”, thuhet në draft deklaratën që u miratua në fund të samitit.

Deklarata përfundimtare miratohet nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së dhe teksti i deklaratës është i harmonizuar bashkë me liderët e vendeve pjesëmarrëse në samit.

Përafrimi me deklaratën nuk është i detyrueshëm për vendet e rajonit, por sigurisht që ka pritje ndaj tyre, sipas zyrtarëve të lartë të BE-së, që kanë punuar në organizim të takimit.

“Megjithatë, mospërputhja me deklaratën dërgon sinjal negativ për ne, sepse tregon orientimin gjeostrategjik të këtyre vendeve dhe nëse ato ndajnë vlerat tona të përbashkëta”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë, ndërsa BE-ja i bën thirrje rregullisht Beogradit zyrtar që të harmonizojë politikën e tij të jashtme me politikat e BE-së.

Para nisjes së samitit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka nënvizuar nevojën për përshtatje me politikën e jashtme dhe të sigurisë.

“Jam i lumtur se kam mundësinë që në këtë samit të përmbledh tërë punën që kam bërë në Ballkanin Perëndimor. Po jetojmë në një kohë të vështirë me zhvillimet që kanë ndikuar edhe në Ballkanin Perëndimor. Ne duhet së pari të vazhdojmë procesin e zgjerimit, sepse është mjet i mirë. Pastaj t’i mbështesim më shumë ata të cilët janë përshtatur më shumë me ne në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Kjo rrit edhe rezistencën e tyre nga kërcënimet. Nga ky samit do të njoftojmë ndarjen 2 milion euro ndihmë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për këtë qëllim”, ka thënë Borrell.

Ai tha se edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka lëvizje pozitive, sado të ngadalshme.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilin kemi investuar shumë kohë dhe energji, ka kaluar përmes uljeve dhe ngritjeve, shumë krizave por dhe zgjidhjeve [për çështje si] letërnjoftimet, targat e veturave, energjia e tjera. Ka pasur lajme të mira ditëve të fundit, të dyja palët po lëvizin, ngadalë por së paku po lëvizin. Dhe duhet t’i inkurajojmë që të lëvizin edhe më shumë”, ka thënë Borrell.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se ky samit është “një rast për të thelluar përkushtimin tonë”.

“Presim më shumë reforma, sidomos në sundimin e ligjit dhe drejtësi. Por, edhe në anën tonë, duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë. Prandaj, kam propozuar reforma që edhe ne të bëhemi gati për zgjerim. Duhet të investojmë më shumë dhe të zhvillojmë integrimin gradual”, ka thënë ai.

Michel sërish u ka bërë thirrje vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që t’i zgjidhin mospajtimet mes tyre.

“Ata duhet t’i zgjidhin edhe mospajtimet mes tyre. Projekti evropian është i bazuar në pajtim dhe bashkëpunim”, është shprehur Michel. Ai ka shtuar se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritat individuale, ndërsa ka përsëritur idenë e tij që edhe BE-ja edhe vendet e rajonit të bëhen gati për zgjerim deri në vitin 2030.

BE-ja e përsëriti angazhimin e saj “të plotë dhe të qartë” ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kërkon përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke u bazuar te reformat e besueshme nga partnerët, te kushtëzimet e drejta dhe të rrepta dhe te parimi i meritës së secilit, gjë që është në interesin tonë të ndërsjellë, thuhet në dokumentin e përbashkët.

“BE- ja përshëndet përparimin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë”.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë, thuhet në dokument. Udhëheqësit e BE-së dhe shtetet anëtare thanë se vazhdojnë t’i mbështesin plotësisht përpjekjet e përfaqësuesit të Lartë të BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, si dhe për çështjet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Ne presim angazhim konstruktiv nga të dyja palët në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të bërë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, gjë që është kritike për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që palët të mund të përparojnë në rrugëtimet përkatëse evropiane”, thuhet në deklaratën e Brukselit.

Kosovës dhe Serbisë iu bë thirrje të zbatojnë plotësisht marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme “pa vonesa ose parakushte të mëtejshme”.

Atyre, po ashtu, u është kërkuar të vazhdojnë përpjekjet e qëndrueshme për ulje të tensionit sipas kërkesave të BE-së dhe që ato të mos ndërmarrin veprime të njëanshme e të pakoordinuara që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë të mëtejshme si dhe të mos përdorin retorikë që nuk favorizon normalizim të marrëdhënieve.

FOTO GALERI
8/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA