Pas një marrëveshjeje të përbashkët me gjigantin indonezian të teknologjisë GoTo, TikTok është gati të rifillojë biznesin e tij të blerjeve online në Indonezi, të njohur si TikTok Shop.

Në bazë të marrëveshjes së arritur, TikTok do të blejë mbi 75% të aksioneve të platformës më të madhe të tregtisë elektronike të Indonezisë, Tokopedia-s, në të cilën pritet të investohen rreth 1.5 miliard dollarë.

TikTok Shop ishte mbyllur në tetor të vitit të kaluar, pasi qeveria indoneziane ndaloi blerjet në internet në platformat e mediave sociale, si masë e mirëmbajtjes së tregut dhe mbrojtjes së tregtarëve të vegjël dhe të dhënave të përdoruesve. Siç pretendohet, GoTo dhe TikTok kanë një qëllim të përbashkët, për promovimin e mallrave indoneziane nëpërmjet platformave të tyre dhe mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme.

Rikujtojmë, se Nepali ka marrë vendim të ndalojë aplikacionin e ndarjes së videove TikTok, pasi sipas vendit përmbajtja e platformës ishte e dëmshme për harmoninë sociale. Vendimi vjen disa ditë pasi vendi prezantoi një rregull të ri që kërkon që firmat e mediave sociale të krijojnë zyra ndërlidhëse në vend.

TikTok, i cili ka rreth një miliard përdorues në muaj, është ndaluar nga disa qarqe, përfshirë Indinë. Në fillim të këtij viti, Montana u bë shteti i parë amerikan që e ndaloi atë, ndërsa Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar e ndaloi atë nga rrjeti i tij. Por, nuk u mbyll me kaq, Edhe rrjeti social TikTok paditi Montanën për të bllokuar një ligj që do të ndalojë shkarkimin dhe përdorimin e aplikacionit në shtetin amerikan duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Top Channel