“Shumë persona na thonë se kanë informacion për vrasjen e Liridonës”/ Familja Ademaj pret drejtësi nga gjykata

12/12/2023 07:11

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi tregon se gjatë ditëve të fundit janë kontaktuar nga shumë persona të cilët kanë ofruar informacione rreth vrasjes së Liridonës, por u lutet që pë këto të dhëna t’u drejtohen policisë dhe prokurorisë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai shkruan se hetimet ua kanë besuar institucioneve të drejtësisë. Presim drejtësi profesionale dhe të shpejtë nga ana e gjykatës, shprehet Leonardi.

“Interesi i familjes sonë dhe interesi i përgjithshëm është që hetimet të mos dëmtohen nga askush. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”.

Për vrasjen e Liridona Ademjat, është arrestuar bashkëshorti i saj, i cili dyshohet se ka planifikuar vrasjen, dorasi, si dhe dy persona të tjerë, të cilëve gjykata ua ka caktuar nga një muaj paraburgim.

Lidhur me  vrasjen e Liridona Ademajt deri më tani janë arrestuar katër persona, mes tyre edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Si ndodhi ngjarja?

Vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj të mërkurën e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë tronditi shqiptarët.

Fillimisht, Policia e Kosovës rastin e raportoi si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, policia njoftoi për arrestimin e tre personave të dyshuar për ngjarjen. Organizatori i vrasjes së të resë ishte Naim Murseli, kurse ekzekutori Granit Plava, bashkëfshatar i tij. Dyshohet se për kryerjen e vrasjes Plava do të paguhej 30.000 euro nga Murseli, ku 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes dhe 15 mijë të tjera do t’i merrte më pas.

Më vonë Policia e Kosovës arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, i cili ishte Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Top Channel