“Nuk je i qetë”, Zheji-Ndrecës në “Top Story”: Nëse koeficienti i kuptueshmërisë tënde është në këto nivele s’është problemi im

11/12/2023 22:06

Avokati Plarent Ndreca dhe analiasti Artur Zheji janë përfshirë në një debat këtë të hënë në emisionin “Top Story” në Top Channel.

Pjesë e diskutimit ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama në Kongresin e PS në lidhje me organet e drejtësisë.

Ndreca: Mendoj që institucionet e reja të drejtësisë kanë kaluar një fazë të rëndësishme që është edhe historike, këtë kulturën e pandëshkueshmërisë besoj që ne nuk po themi që e kemi kapërcyer, por jemi në një fazë që është dhënë mesazhi i duhur ku gjithkush mund të preket, por nuk mjafton them unë, kjo është faza e parë, tani vjen një fazë më e rëndësishme, standardet e larta. Sa më shumë politika tenton të ndërhyjë me instrumenta institucionalë tek drejtësia, rrezikon pavarësinë e saj. Mesazhet politike është detyrë e politikës t’i bëjë, ça janë mesazhe poltike, janë shqetësime.

Zheji: As paternalizëm nuk ka nevojë drejtësia, që ne të krijuam, doktrina e Ramës, as doktrina e Berishës që thotë SPAK është një organizatë kriminale, ai është një ekstrem i patolerueshëm.

Ndreca: Më lër të mbaroj, e konkretizova me mesazhin që dha Rama, që ishte standartet në drejtësi, nuk është duke influencuar ( politika), është njësoj sikur një palë e procesi gjyqësor të flasë edhe të ndikojë në drejtësi, jo, palët flasin, vendimin e merr gjykata, nuk duhet ta influencojë, flet për opinionin publik, për deputetët, për të gjitha. Rama thotë edhe për qeverisjen e tij që nuk është perfekte, jo më për një pushtet tjetër, fajtri që ti ngre shetësime mbi funksionin e kujtdo pushteti, nuk do të thotë që nuk e respekton vendimmarrjen e atij pushteti. Ky është dallimi i respektimit të drejtësisë me ushtrimin e funksionit tënd politik. Ti do të ngresh shqetësim kur del nga binarët, në çdo rast duhet të përdorësh instrumente kushtetuese. Diskutim absurd, çdo vendim gjykate diskutohet, nuk diskutohet zbatueshmëria e tij, gjithsekush është i detyruar të zbatojë vendimin e gjykatës, por në katedra, në vende profesionale, në opinion publik diskutohet.

Zheji: O Ndreca këto vendime diskutohen edhe në birrari, ne po flasim çfarë thotë kryeministri. Ti duke zgjeruar konceptin e bën kaq të madhe atë, e tërheq llastikun, nuk po themi që s’ka të drejtë të ketë mendim, ne po themi, pyetja e Gridës ishte më e ngushtë.

Ndreca: Unë e kuptova.

Zheji: E bishtnove atëherë.

Ndreca: Jo u përgjigja tamam.

Zheji: Ajo thotë a ndikon, jo nuk ka të drejtë ta bëjë.

Ndreca: Ku impakton?

Zheji: Tek drejtësia.

Ndreca: Si e mat ti?

Zheji: Sot ke pasur një intervistë të të ngarkuarit me punë të ambasadës amerikane, që tha 40 specialistë amerikanë punojnë për BKH-në, ai tha lobimi i financimit permanent e SHBA tek SPAK është 100%, ndërkohë që kryeministri tha thonë që na vjen SPAK nga Amerika por ne e kemi krijuar. Ti the që e kuptove por doje të jepje përgjigjen që doje të jepje. Fakti që ti je i shqetësuar mua më gëzon, tregon që nuk je i qetë, kush nuk është i qetë nuk është i qartë.

Ndreca: Nuk të kuptoj.

Zheji: Nëse koeficienti i kuptueshmërisë tënde është në këto nivele nuk është problemi im, është problemi jot. Ti më thua mua që nuk të kuptoj?!

Top Channel