Teoricieni konspirativ Alex Jones është rikthyer në X, dikur Twitter, nga Elon Musk.

Musk u kërkoi përdoruesve të votojnë në një sondazh nëse duan të hiqet apo jo llogaria e Jones nga platforma.

Rreth 70% e afërsisht dy milionë të anketuarve votuan për heqjen e ndalimit.

Jones është më famëkeq për pretendimin e rremë për të shtënat në shkollën Sandy Hook të vitit 2012, në të cilën 20 fëmijë dhe gjashtë të rritur vdiqën, ishte “inskenuar”.

Ai u urdhërua të paguante 1.5 miliardë dollarë si dëmshpërblim për anëtarët e familjes së viktimave, pasi gjykatat zbuluan se ai i kishte bërë ata t’i nënshtroheshin ngacmimeve dhe kërcënimeve me vdekje me pretendimet e tij të rreme.

Jones, i cili themeloi faqen e internetit të teorisë së konspiracionit Infowars, u hoq nga platformat e tjera kryesore, duke përfshirë YouTube dhe Facebook.

Ai u ndalua nga Twitter në 2018 për shkelje të rregullave të faqes për sjellje abuzive. Pas blerjes së platformës në tetor 2022, miliarderi Musk refuzoi thirrjet nga disa prej mbështetësve të Jones për të rivendosur llogarinë e tij.

Por të shtunën Musk u kërkoi përdoruesve të votojnë nëse Jones duhet të lejohet ose jo të kthehet. Pasi Musk postoi sondazhin, Jones ndau një video në internet në të cilën ai u bëri thirrje mbështetësve të tij të votojnë në favor të anulimit të ndalimit të tij.

Llogaria e vjetër e Jones u rivendos disa orë pas përfundimit të sondazhit.

Duke iu përgjigjur një përdoruesi të shtunën, Musk tha se ai “nuk ishte shumë dakord” me deklaratat e Jones për Sandy Hook, duke shtuar: “por a jemi ne një platformë që beson në lirinë e fjalës apo jo?”

Ai tha se lëvizja do të ishte “e keqe për X financiarisht”, por “parimet kanë më shumë rëndësi se paratë”.

Top Channel