Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim pasi kërcënoi një person duke qëlluar në ajër është arrestuar në Vlorë.

Gjatë operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” vunë në pranga E. L., 41 vjeç, banues në Vlorë.

Pistoleta, të cilën 41-vjeçari e kishte pa leje është gjetur sekuestruar nga Policia, pas ngjarjes.

“Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe të kryera në vijim të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialitët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim: E. L., 41 vjeç, banues në Vlorë”, sipas policisë.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë i kishte caktuar 41-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe “Kanosja”, pasi në muajin korrik të vitit 2022, pas një konflikti të çastit ka kanosur një 59-vjeçar, duke qëlluar në ajër me pistoletë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA