Tre persona humbën jetën sipas policisë nga të shtënat me armë zjarri që tronditën kampusin e Universitetit të Nevadas në Las Vegas.
Efektivët shtinë mbi autorin e sulmit, duke e lënë të vrarë. Identiteti i tij, nuk është bërë ende publik. Një nga të plagosurit, është në spital në gjendje kritike për jetën.
“Mund t`ju them se tre nga viktimat janë të konfirmuar të vdekur. Kemi dhe një viktimë të katërt që ka plagë nga armë zjarri, i cili është aktualisht në spitalin Sunrisë në gjendje të rëndë, por të stabilizuar”, tha Kevin McMahill, sherif i zonës.
Të gjithë ndërtesat e universitetit u mbyllën teksa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se Shtëpia e Bardhë është duke e monitoruar situatën. Carolyn Goodman, kryebashkiake e Las Vegasit, e cilësoi ngjarjen “tragjike dhe zemërthyese”, e tha se po lutet për të gjithë personat e prekur prej saj.
Në zhvillimin e hetimeve, policisë lokale i ka ardhur në ndihmë edhe FBI-ja. Deri tani nuk dihet asgjë rreth motivit të të shtënave, e pohuar kjo nga vetë sherifi Kevin McMahill. Presidenti Biden e përshkroi atë të Universditetit të Nevadës si kampusin më të fundit të madh në vend që terrorizohet nga një akt i tmerrshëm i dhunës së armëve.
Top Channel