Nga MATILDA NDREGJONI – Dhunë në familje! Një grua guxon dhe e denoncon, as e mendon çfarë vjen më pas dhe që jeton në Shqipëri!
Ka parë aq shumë në televizor ca gra e vajza që dalin përpara institucioneve me pankarta e fjalë bindëse dhe kërkojnë drejtësi sa herë një grua vritet.
E mendon dhe e stërmendon, nuk do të jetë viktima e radhës! Gjërat po ndryshojnë mendon, nuk kam pse të kem frikë e mos gjykohem që jam grua e dhunuar. Nuk kam pse të kem frikë as pse kam një foshnjë 9 muaj me vete, fundja po e shpëtoj nga duart e një babai dhunues e po ashtu po përpiqem t’i jap një jetë të re fëmijës që mbaj në bark.
Pesë muaj më vonë, ajo që pamë e dëgjuam në emisionin investigativ “Fiks Fare” ishte tronditëse. Jo një, por dy nëna të dhunuara tani dhunoheshin për herë të dytë, brenda qendrës që duhet t’i mbronte.
Sepse të mos i sigurosh dot ushqim dy grave shtatzëna, sepse të mos sigurosh dot qumësht për foshnjat e tyre, njëri 9 dhe tjetri 12 muaj është dhunë dhe një këmbanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë si shoqëri.
Nuk duhet të mjaftohemi kur dëgjojmë se gjithçka ka ndodhur në një qendër private e që funksionon me donatorë. Duhet të na tmerrojë ideja që gra të ikura nga ferri i dhunës, e përjetojnë sërish, në një formë tjetër, kur iu ka mbaruar edhe grahma e fundit e shpresës, se jeta e tyre mund të ishte më e mirë.
Këto fenomene na mbajnë kaq larg shoqërive europiane që ne aspirojmë t’iu bashkohemi. Gratë e mbetura mes katër rrugëve duan ndihmë! Nuk mund të detyrohen të zgjedhin: mes të pasurit thjesht një strehë për të futur kokën, ose ndryshe të rrinë jashtë! Strehimi në një prej këtyre qendrave dhe sigurimi i kushteve minimale është thelbësor dhe i mbrojtur nga konventat ndërkombëtare.
Rrëfimet e dy nënave në “Fiks Fare” i ngjanin rrëfimeve të kohës migjeniane, të atij babait që ulte kokën se nuk siguronte dot misër për të ushqyer të vegjlit e tij.
Në vitin 2023 dy nëna nuk po pretendojnë më ushqim për vete, ndonëse janë shtatzëna, ato duan vetëm të sigurojnë qumësht për foshnjat e tyre. Pak qumësht, asgjë më shumë nuk kërkojnë! “O si nuk kam një grusht të fortë…” përballë punonjëseve të qendrës që iu thonë se fëmijët nuk duhet t’i lënë me barkun bosh, në asnjë mënyrë, por duhet t’i ushqejnë me ujë me sheqer.
Katër ditë pa ngrenë foshnjat, dëshmuan nënat, katër ditë ujë me sheqer për të zbutur të qarat e stomakut bosh…Katër ditë iu desh edhe Shërbimit Social Shtetëror për të reaguar dhe për t’i strehuar në Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës dhe Trafikimit.
Kaq nuk mjafton!
Shërbimi Social Shtetëror duhet të kuptojë që reagimet pas skandaleve nuk bëjnë krenar asnjë institucion që duhet të bëjë përditë punën e tij.
A e kishte kontrolluar ky institucion ndonjëherë qendrën në fjalë?
A do dalin zonjat e shoqërisë civile të protestojnë edhe për këtë rast, apo nëse dikush nuk vdes, asgjë nuk ndodh?
A e di kush që më të rëndësishme se e shkuara dhe e ardhmja nuk është asgjë tjetër për një popull? E shkuara janë prindërit tanë, gjyshërit tanë! E ardhmja e Shqipërisë janë fëmijët tanë! Ne si shoqëri dështojmë nëse mungon kujdesi për të shkuarën dhe të ardhmen.
*Redaktore në Departamentit e Informacionit TCH
Top Channel