Burra e gra, të rinj e të reja u mblodhën për të protestuar në Kosovë, duke kërkuar drejtësi për Liridona Ademajn, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Naim Mursala në një plan të inskenuar.

Disa të veshur me bluza me foton e saj e disa me pankarta në duar, ata nuk zgjodhën të heshtnin përpara kësaj ngjarje tronditëse.

“Drejtësi për Liridonën”; “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”; “Mos më vrit, unë jam bekimi i shoqërisë’, “Ky patriarkat i ka duart me gjak”; “Liri; barazi; solidaritet”; “Për gratë është çdo ditë luftë”; “Burrat vrasin gratë, shteti hesht”; “Ne nuk do të heshtim, deri në frymën e fundit do të rezistojmë”, këto ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar.

Në rrugët e Prishtinës ata derdhin ngjyrë të kuqe, duke simbolizuar gjakun e derdhur të Liridonës apo të gjitha grave që janë vrarë, ndërsa po marshojnë drejt qeverisë . As tymuesja e zezë nuk mungoi në këtë protestë. “Marre marre..”, thërrasin protestuesit, teksa policia ka krijuar kordonin para qeverisë, duke mos lejuar fillimisht që organizatorët të mbajnë fjalimin brenda oborrit, ndërsa më pas i lejon të afrohen te dera për fjalim.

Qëllimi i protestuesve është po ashtu që të ndalet dhuna ndaj grave ndërsa dhunuesit të marrin dënimin e merituar.

Kjo protestë u paralajmërua më herët sot, nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me moton “nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

30-vjeçarja u vra më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë në një komplot të organizuar nga burri i saj, Naim Murseli, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, vrasësin Granit Plava dhe Kushtrim Kokallan. Hetimet vijojnë ende për këtë çështje.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel