Pas vrasjes së Liridona Ademajt, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, sot do të mbajë protestë mbarëpopullore me moton “nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Protesta nis në orën 18:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

“Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore në Prishtinë të dielën e 3 dhjetorit, ka vendosur nga një muaj paraburgim për bashkëshortin e Liridonës dhe dy persona të tjerë. Sipas komunikatës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit që kanë kryer veprat penale, mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe dëshmitarët, si dhe ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale.

30-vjeçarja u vra më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë në një komplot të organizuar nga burri i saj, Naim Murseli, së bashku me vrasësin Granit Plava dhe Kushtrim Kokallan, pjesëtar i FSK-së. Janë ende të paqarta arsyet e vrasjes së Liridona Ademajt, ndërsa hetimet vijojnë ende.

Vëllai i i Liridona Ademaj në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel tha se dy fëmijët e saj po qëndrojnë me prindërit e Murselit dhe ende nuk e kanë mësuar lajmin e hidhur.

Familjarët e Liridona Ademajt kanë hapur ditën e djeshme dyert e mortit, ndërsa 30-vjeçarja e vrarë më 29 nëntor u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës, me kërkesë të familjes, për t’u rivarrosur në vendlindje, në Prishtinë.

Qindra qytetarë tashmë kanë shkuar për të ngushëlluar familjen Ademaj për vdekjen e vajzës që la pas dy fëmijë të vegjël. Pjesë e ceremonisë së varrimit të Liridona Ademajt ishte edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Një grup fëmijësh ishin të veshur me bluza të bardha të stampuara para me foton e Liridonës dhe mbrapa me shkrimin “Drejtësi për Liridonën”, ndërsa mbanin në duar trëndafila të bardhë.

Top Channel