Dekada e kaluar, nga viti 2011 deri në vitin 2020, ishte më e nxehta e regjistruar në tokën dhe oqeanin e planetit.
Shkalla e ndryshimeve klimatike u rrit në mënyrë alarmante gjatë këtyre viteve, thuhej në raportin që u publikua sot në konferencën COP28 në Dubai. Ngrohja e tokës dhe oqeaneve shkaktuan shkrirjen e një pjese të akullnajave dhe rritjen e nivelit të detit.
“Çdo dekadë që nga vitet 1990 ka qenë më e ngrohtë se ajo para saj. Ne duhet të reduktojmë emetimet e gazeve serrë si një prioritet kryesor dhe mbizotërues për planetin, në mënyrë që të parandalojmë daljen jashtë kontrollit të ndryshimeve klimatike”, u shpreh në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm.
Përqendrimi i të gjitha gazeve që ngrohin planetin u rrit gjatë kësaj dekade, ndërsa agjencia e OKB-së veçoi rritjen e metanit si më shqetësuesen. Ndotja e klimës nga të gjitha llojet e lëndëve djegëse fosile – qymyri, nafta dhe gazi natyror – u rrit në mbarë botën, zbuloi Projekti Global i Karbonit. Emetimet e qymyrit dhe naftës, janë rritur ndjeshëm në Indi dhe Kinë, ndërsa SHBA-ja dhe BE treguan rënie të fortë të qymyrit.
Ndërkohë, viti që po lemë pas pritet të jetë edhe më i nxehtë, pasi përjetuam gjashtë muaj rresht me temperatura rekord.
Sipas shkencëtarëve, ngrohtësia e jashtëzakonshme e këtij viti është rezultat i efekteve të kombinuara të El Niño-s dhe ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, nxitur nga ndotja e karburanteve fosile që ngrohin planetin. Një analizë e veçantë e publikuar të hënën nga Projekti Global i Karbonit zbuloi se ndotja e karbonit nga lëndët djegëse fosile po arrin një rekord të ri këtë vit, 1.1% më të lartë se nivelet e vitit 2022.
Top Channel