Ministrat dhe anëtarë të tjerë të kabineteve të tyre në Francë ndalohen të përdorin disa aplikacione si WhatsApp, Telegram dhe Signal për të shkëmbyer informacione që kanë lidhje me punën e tyre.
Propozimi është bërë nga kryeministrja franceze Élisabeth Borne, e cila thotë se siguria e këtyre aplikacioneve është e dobët, sipas një memoje të siguruar nga POLITICO.
“Këto mjete dixhitale nuk mund të garantojnë sigurinë e bisedave dhe informacionit që ndajnë anëtarët e kabinetit qeveritar, apo stafet e tyre”, thuhet në një dokument të datës 22 nëntor.
Borne caktoi datën 8 dhjetor si afatin e fundit për anëtarët e qeverisë që të zhvendosin bisedat e tyre nëpërmjet aplikacionit francez Olvid, i cili është i certifikuar nga agjencia franceze e sigurisë kibernetike ANSSI.
Po ashtu qeveria franceze tha se kabineti do lejohet të përdorë Tchap, aplikacionin e sigurt të mesazheve dhe bashkëpunimit i zhvilluar nga qeveria, i lançuar në vitin 2019.
Mësohet se në fushatën për rritjen e sigurisë kibernetike, qeveria franceze ka urdhëruar të gjithë nëpunësit civilë që të heqin të gjitha llojet e platformave të mediave sociale, lojërave dhe aplikacioneve të transmetimit të videove, përfshirë TikTok, CandyCrush dhe Netflix nga pajisjet e tyre të punës.
Top Channel