566 persona kanë rënë në pranga në një operacion të shtrirë në 26 vende të Europës përfshi edhe Shqipërinë.

Numri më i madh i të arrestuarve është për trafikim personash pasuar nga ata të arrestuar për trafik të lëndëve narkotike.  Policitë e vendeve që morën pjesë në operacion sekuestruan 1 ton drogë ku dominon kokaina.

Në Shqipëri operacioni u shtri gjatë një jave prej 13 deri në 18 nëntor, ku mbi 300 punonjës policie në Shqipëri ushtruan kontroll në mbi 1500 persona dhe rreth 1 mijë mjete me qëllim kapjen e personave që kryenin trafik të armëve të zjarrit, të lëndëve narkotike, të emigrantëve si dhe goditjen e rrjeteve kriminale me rrezikshmëri të lartë.

Gjatë këtyre kontrolleve u arrestuan 28 persona si edhe u sekuestruan 81 kilogramë kanabis si edhe qindra doza kokaine. Kontrolle u ushtruan në banesa, biznese por edhe në pakot postare pasi gjatë këtij viti ka pasur episode të trafikut të lëndëve narkotike.

Ky operacion i gjerë u krye me mbështetjen e Europol, Interpol, Eurojust, Frontex, Agjencisë Europiane të Rojës Kufitare dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese ndërkombëtare me të cilat Shqipëria ka partneritet.

Për bashkëpunimin shumë të mirë me autoritetet angleze, Policisë së Shtetit i është akorduar çmimi i ekselencës. Home Hoffice ka vlerësuar përpjekjet dhe burimet e vendosura në bashkëpunimin me operacionet ndërkombëtare.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel