Lakuriqët e natës njihen prej kohësh si krijesat më të çuditshme mes gjitarëve.

Ata janë të vetmet krijesa në këtë degë të mbretërisë së kafshëve të afta të fluturojnë . Tani studiuesit thonë se kanë zbuluar një tipar tjetër unik, e cila tregon se lakuriq i natës serotinë mund të jetë gjitari i parë i njohur që çiftëzohet pa depërtim.

Të njohura edhe me emrin shkencor Eptesicus serotinus, lakuriqët serotinë çiftëzohen duke prekur së bashku organet e tyre gjenitale. Lakuriqi mashkull përdor penisin e tij më shumë si një krah për të lëvizur një membranë mbrojtëse larg vulvës së lakuriqit femëror, sipas një studimi të botuar të hënën në revistën Current Biology.

Lakuriqët e natës kanë biologji riprodhuese “të pabesueshme” e cila ka qenë e vështirë për t’u studiuar, tha bashkautori i studimit Nicolas Fasel, një specialist i lakuriqëve në Universitetin e Lozanës në Zvicër.

“Shumicën e kohës do të shihni kurrizin e tyre në mur dhe nuk e shihni se çfarë po ndodh realisht përpara“, tha ai.

Megjithatë, falë përpjekjeve të një të apasionuari holandez të lakuriqëve të natës, i cili vendosi 18 kamera në një kishë në Holandë që ishte shtëpia e një kolonie të lakuriqëve serotinë, Fasel dhe kolegët e tij mundën të analizonin 93 çiftëzime në detaje.

“Ju mund ta shihni se penisi nuk  futet brenda”, tha Fasel.

Pamjet treguan se gjysma e episodeve të regjistruara të çiftëzimit zgjatën më pak se 53 minuta, ndërsa në një rast tjrtër një çift lakuriqësh qëndruan së bashku në një përqafim çift për më shumë se 12 orë. Sjellja është e ngjashme me një “puthje cloacal”, një mënyrë çiftëzimi që përdoret nga shumë zogj.

Ajo që Fasel dhe kolegët e tij vëzhguan në video mund të zgjidhte një enigmë të gjatë në lidhje me biologjinë riprodhuese të kësaj specieje lakuriqësh nate dhe të tjerëve të të njëjtës familje.

Penisi i lakuriqit mashkull është rreth shtatë herë më i gjatë se vagina e homologes së tij femërore dhe ka një kokë në formë zemre që është shtatë herë më e gjerë se hapja vaginale. Këto janë tipare që duket se e bëjnë seksin depërtues të vështirë, nëse jo të pamundur, vuri në dukje Fasel.

 “Lakuriqët e natës përdorin uropataginë e tyre (membranat e bishtit) në shumë mënyra unike, si rrjetat e peshkimit, për të kapur të vegjlit gjatë lindjes e kështu me radhë dhe kështu ata janë të dobishëm në shumë mënyra, por ndoshta një pengesë gjatë çiftëzimit”, tha Teri Orr, një asistent profesore dhe specialiste në sistemet riprodhuese të lakuriqëve në Universitetin Shtetëror të Nju Meksikos.

Bashkautorja e studimit Susanne Holtze, një shkencëtare e lartë në Institutin Leibniz për Kërkimin e Kopshtit Zoologjik dhe Kafshëve të Egra në Berlin, pranoi se ata nuk kishin qenë në gjendje të vërtetonin përfundimisht transferimin e spermës nga lakuriqët mashkull në femra dhe tha se kjo do të jetë një fokus i kërkimeve të ardhshme.

“Është pak pyetje e hapur se si sperma e tyre futet në traktin riprodhues të femrës. Mund të jetë se ka një lloj thithjeje të përfshirë. Ne nuk mund t’i përgjigjemi plotësisht këtij mekanizmi”, tha ajo.

Holtze, e specializuar në riprodhimin e asistuar te kafshët, tha se informacioni që ata zbuluan gjatë studimit do të ndihmonte në punën e saj për të gjetur një mënyrë për të mbarësuar artificialisht lakuriqët e natës.

“Ka më shumë se 1000 lloje lakuriqësh nate dhe shumë prej tyre janë gjithashtu të rrezikuara”, tha ajo. “Deri më tani, nuk është krijuar një strategji e mjaftueshme për riprodhimin e asistuar.”

“Ka pak biologë të lakuriqëve të natës dhe shumica priren të përqendrohen në aspektet më të dukshme por ende magjepsëse të biologjisë së lakuriqëve të natës, si fluturimi dhe ekolokimi, në vend të asaj që lakuriqët po bëjnë ‘pas dyerve të mbyllura'”, tha Orr./ CNN

Top Channel