Një shofer brazilian shpërndarjeje është quajtur “hero” në Irlandë për ndërhyrjen ndaj sulmuesit që goditi me thikë fëmijët dhe nënën e tyre jashtë një shkolle në kryeqytetin Dublin.
Por duke folur për rrjetin AFP ai me thjeshtësi tha se bëri “atë që do të kishte bërë çdo prind”.
Caio Benicio i cili shpëndante porosi me motoçikletë në kohën e sulmit, përdori kokoren e tij për të ndaluar të dyshuarin që sulmoi me thikë familjen me një nënë e tre fëmijë.
Vajza pesë-vjeçare ka pësuar plagë të rënda nga sulmi dhe mbetet në spital, në ngjarjen që shkaktoi trazirat më të rënda në dy dekada në Dublin kundër politikave të emigracionit të qeverisë.
Autoritetet mohonin raportimet në rrjetet sociale se sulmi u krye nga një “emigrant ilegal” por kjo nuk i ndaloi protestat e ashpra ku u dogjën makina policie u thyen vetrata dyqanesh.
43-vjeçari Benicio dhe të tjerë anëtarë të publikut që ndërhynë u vlerësuan duke u quajtur “heronj’” nga mediat dhe zyrtarët.
Por Benicio – baba i një djali 12-vjeçar e një vajze 19 vjeçare, tha se nuk e konsideron veten hero, teksa fliste sot nga vendi i ngjarjes në Dublin.
“Unë jam prind vetë. Kam dy fëmijë. Mendoj se çdo prind do të kishte bërë të njëjtën gjë. Është diçka që dikush e bën pa e menduar,” tha ai.
Benicio përshëndetej nga kalimtarë të shumtë në rrugë të cilët i shtrëngonin dorën dhe e komplimentonin për gjestin.
Teksa çarmatoste sulmuesin, braziliani u ndihmua dhe nga një kuzhinier e ri nga Franca që po kryen praktikën në një restorant në Dublin.
Top Channel