Më shumë se 100,000 protestues dolën sot sërish në Londër duke marshuar për armëpushim të përhershëm në Gaza, teksa policia njoftonte se do të ndalonte këdo që sipas tyre, mbante simbole ose gjuhë urrejtjeje.
Mediat raportonin se një burrë ishte arrestuar pak pas nisjes së protestës pasi mbante në dorë një pankartë me simbole naziste.
Oficerët e policisë thanë se i ndaluari dyshohej për “nxitje urrejteje”.
Zhvillimi vjen teksa ushtria izraelite njoftoi nisjen e armëpushimit dhe sipas tyre këmbimin e disa të burgosurve palestinezë me izraelitë që mbaheshin peng nga Hamas, sipas raportimeve.
Policia sot në Londër tha se i kishte shpërndarë protestuesve pro-Palestinë fletushka për të qartësua cilat konsiderohen shkelje me thirrjet apo mbishkrimet e pankartave të tyre.
Rreth 1,500 oficerë ishin dislokuar për demonstratën.
Zv. kreu i policisë Ade Adelekan tha: “Ne kemi qartësuar që çdokush që është racist apo nxit urrejtje mund të arrestohet, si dhe ata që mbështesin Hamas apo organizata të tjera të ndaluara”.
Çdo të shtunë qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Londrës për të kërkuar paqe që prej nisjes së bombardimeve brutale të Izraelit në Gaza, pas sulmit te 7 tetorit nga Hamas brenda Izraelit.
Top Channel