“Kur ziheshin mami me babin largoja thikat dhe gjërat e mprehta”, rrëfimi i të miturit në “Fol me Anila Hoxhën”

25/11/2023 18:09

Në podcast-in e radhës “Fol me Anila Hoxhën” mbështetur nga Ambasada Amerikane dhe që transmetohet të shtunën e fundit të çdo muaji në Top Albania Radio, tema e diskutimit ishte dhuna në familje.

Emisioni u hap me rrëfimin ekskluziv të një të mituri, i cili është rritur duke parë dhunën e vazhdueshme që i ati ushtronte ndaj së ëmës. Nga traumat e ngjarjeve që pa mes prindërve, me urdhër të gjykatës i mituri po trajtohet nga psikologët. Fjalët e tij janë dëshmi që provojnë sesi dhuna lë pasoja të shumëfishta, jo vetëm ndaj viktimës por edhe ndaj fëmijëve të tyre apo kujtdo anëtari që është dëshmitar i asaj dhune në shtëpi. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës deklaron se në katër vitet e fundit 625 të mitur u dhunuan fizikisht nga njëri prindër dhe 1217 të tjerë u mbështetën nga Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës mbas abuzimit psikologjik që përjetuan në familje.

Anila Hoxha:-Për çfarë ke më shumë frikë në ato momente?

Fëmija: Kisha frikë se mos godiste mamin ose mos i bëntë ndonjë gjë mamit. Kur je fëmijë dhe shikon prindërit që zihen është një ndjenjë e keqe dhe është shumë ndryshe nga gjërat e tjera. Në ato momente kam shumë frikë sepse mund të bëjë ndonjë krim ose ndonjë gjë se mund të marrë ndonjë thikë dhe mund të plagosë mamin ose mund të godasë. Prej 3-4 vitesh që kam frikë për këtë. Isha me panik dhe kur dilja nga shtëpia thoja ishalla nuk i bën gjë mamit, kur hyja në shtëpi, ishalla nuk shikoj ndonjë gjë që nuk pritet dhe gjëra të tilla.

-Çfarë bëje?

– Në këto raste kur ziheshin mami me babin largoja thikat dhe gjërat që ishin të mprehta, gjërat që mund të bëjnë gjërat që nuk mund të priten.

– Kur hynte babi në shtëpi çfarë mendoje?

– Kur hynte babi gjithmonë e shikoja nga sytë se mendoja se mund të ishte normal.

– Kur ishte normal ti lumturoheshe?

-Po ndihesha i qetë dhe nuk kisha panik.

– Si e shprehje ti, ato momentet e dhunës? Pikturoje çfarë bëje, i tregoje shokëve apo nuk i thoje askujt?

-Nuk i thoja askujt vetëm një shoku që e kam në klasë, e kam për besë, i kam treguar.

-E di se çfarë numri ka policia?

– Po, ka 112, ose 129.

– I ke telefonuar ndonjëherë?

– Po, vetëm kur babi bënte ndonjë gjë shumë të madhe

– I kishe thënë ndonjëherë mësueses, që po unë kam parë që ka dhunë në shtëpinë time?

– Në klasë të pestë po. Unë besoja se kur mund të vinte një ditë ndryshe dhe mund të ndryshonte gjithçka në jetën tonë.

– Kjo gjë nuk ndodhi?

– Jo.

– Çfarë do bëhesh kur të rritesh?

– Do bëhem polic apo gjykatës.

-Po pse polic apo gjykatës?

– Sepse dua të mbaj drejtësinë në vendin ku do jem dhe të mos lë asnjë dhunë në familje apo ndonjë gjë tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA