Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave, Preç Zogaj bën të njëjtin apel si këngëtari italian Adriano Celentano: E shenjta Mari, fali burrat që vrasin gratë.
Për këtë shkrimtari flet në romanin “Nata” një përplasje tragjike fatesh njerëzore të tranzicionit shqiptar. Një pjesë nga libri, Zogaj e interpretoi sot në studion e “Artkand”, me një mesazh për publikun.
“Unë lexova pjesën kulmore, pjesën e përballjes së babait me vajzën që kthehet në orët e vona në shtëpi. Ky është një libër që ka në bosht një tragjedi shqiptare. Unë e ftoj lexuesin në këtë tragjedi shqiptare që të shkojë drejt kuptimit të thelluar të tragjedisë, larg kuptimeve klishe dhe të gatshme. Sepse klishetë ngrijnë kuptimin, por edhe reflektimin. Duke e ftuar lexuesin në një kuptim të thellë të tragjedisë, përmes rrëfimit, përpiqem që ta përfshij edhe atë shpirtërisht, emocionalisht, që ai të mendojë dhe të reflektojë vetë.
Sot është Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave, ky është një roman që ka në subjektin e vet edhe këtë aspekt të jetës së grave dhe vajzave në Shqipëri. Është më shumë se kaq, është hulumtimi i një vrasjeje përmes rrethanave që çojnë në këtë ngjarje. Apeli për njerëzit sot është që kërkohet një reflektim i thellë, sepse janë shtuar shumë vrasjet e grave”.
Romani konsiderohet tragjik pasi flet për një baba vrasës dhe mbyllet me vrasjen e një prej personazheve kryesore, 20-vjeçares Mariana. Zogaj në fakt e zbulon që në fillim të narracionit se libri flet për një akt të tillë. Për këtë, ai nuk mund të thuhet se është libër misteri edhe pse me titullin “Nata” subjekti lihet i panënkuptuar.
Top Channel