Policia përdori sot gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të ndaluar dhjetra mijëra protestues, mbështetës të ish-mbretit të Nepalit që marshonin në kryeqytet duke kërkuar rivendojsen e monarkisë dhe kthimin në një shtet të besimit Hindu.
Protestuesit me flamurë kombëtarë brohorisnin slogane në mbështetje të ish-mbretit Gyanendra. Ata u mblodhën në periferi të kryeqytetit Katmandu dhe tentuan të hynin në qendër të qytetit.
Por policia i bllokoi ata duke i goditur me shkopinj bambuje, si dhe duke përdorur gaz lotsjellës e ujë me presion.
Sipas raportimeve kishte vetëm plagë të lehta nga të dyja palët. Autoritetet kishin njoftuar ndalimin e protestave në qytet para grumbullimit.
“Ne duam mbretin më shumë se jetën tonë. Rivendosni monarkinë, anuloni republikën”, brohorisnin turmat.
Mbështetës të ish-mbretit kishin ardhur në Katmandu nga i gjithë vendi për të kërkuar rikthimin e monarkisë së anuluar në vitin 2008.
Protestuesit gjithashtu akuzonin qeverinë dhe partitë politike për korrupsion dhe dështim në qeverisje.
Ishin po ashtu protestat e rrugëve në 2006 që detyruan mbretin Gyanendra të braktiste regjimin e tij të akuzuar si ‘autoritar’ dhe të vendoste demokracinë.
Dy vjet pas kësaj një parlament i sapo zgjedhur miratoi anulimin e monarkisë dhe e shpalli Nepalin republikë, me kryetar shteti presidentin.
Prej atëherë Gyanendra ka jetuar si një qytetar i zakonshëm pa pushtete apo mbrojtje shtetërore.
Ekspertët thonë se ai ka mbështetje të gjerë por jo shumë shanse për t’u rikthyer në pushtet.
Demonstruesit kërkonin gjithashtu që Nepali të rikthehej në një shtet të besimit Hindu, pasi vendi i Himalajeve u shpall vend laik nga një kushtetutë e përkohshme në 2007.
Top Channel