Qenia e diasporës qoftë ajo e “vjetër” apo e “re”, nuk mund të kuptohet pa gjuhën shqipe, si një nga elementët kyç që në rrjedhën e kohës, nën presionin pushtues apo të gjuhëve “të mëdha” ka mbajtur gjallë jo vetëm atë (diasporën), por gjithë shqiptarinë.
Në tryezën mbarëshqiptare të Samitit të tretë të Diasporës u prezantua Pavijoni i Gjuhës Shqipe në Muzeun Kombëtar të rikonceptuar.
Ngritja e këtij pavijoni do të bëhet përmes përfaqësuesve të saj në një këshill konsultues e orientues. Akademikë, gjuhëtarë, drejtues të katedrave albanologjike në Itali, Gjermani etj., e figura të shquara që vijojnë të mbajnë gjallë në diasporë shpirtin e De Radës, Camajt e Koliqit, por edhe Nolit e Konicës do të ftohen të japin kontributin e tyre në pasurimin e këtij pavijoni dhe vendosjen e urave të bashkëpunimit jo vetëm me institucionet ku ata punojnë, por edhe arkiva të rëndësishme, ku dokumentohet ndër të tjera edhe roli i padiskutueshëm i diasporës në ruajtjen e shqipes.
Top Channel