“Detektori i gënjeshtrave”, zbulon të vërtetat mes çiftit të “çmendur”, këtë fundjavë në Teatrin Metropol Cirku Kombëtar ofroi këtë fundvit një premierë të veçantë që argëton të gjithë familjen, “Piter Pan dhe aventurat në Ishullin e Kërkundit”.
Trupa profesioniste përfshiu publikun në një udhëtim magjik mes fantazisë, guximit dhe ëndrrave që nuk plaken kurrë.
“Ne jemi rritur me Piter Panin, është një personazh i dashur për të gjithë. Vjen për herë të parë si vepër e plotë në cirk, ka risi, teknologji. Jam e lumtur që publiku ka rikthyer vëmendjen te Cirku Kombëtar që po kalon një periudhë tranzitore derisa të ketë shtëpinë e vetë”, tha Alketa Haxhiu-mjeshtre..
“Është bërë një punë shumë e madhe nga i gjithë stafi i Cirkut Kombëtar, ishte privilegj për mua të luaja në këtë shfaqje“, deklaroi Rubin Zuna-akrobat.
Me një skenografi e kostumografi të pasur, për 50 minuta artdashësit bëhen pjesë e një rrëfimi skenik që ndërthur teatrin, muzikën, koreografinë e akrobacinë.
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Cirkut Kombëtar dhe që për një kohë të shkurtër, m’u dha ky rol kryesor. Më pëlqeu shumë roli, jam përpjekur ta interpretoj sa më mirë”, tha Aria Daja-akrobate, në rolin e “Piter Pan”.
“Është një punë disa mujore që artistët e kanë realizuar me shumë profesionalizëm. Është sfidë sepse sa mbyllet një skenë, artistët duhet të bëhen gati për skenën tjetër, por ia kanë dalë më së miri”, tha Brunilda Demollari-mjeshtre.
Në mungesë të një skenë të vetën, premiera e Piter Panit u mirëprit në ambientet e Teatrit Kombëtar, ku pritet të rikthehet sërish në fillim të janarit.
“Skena e Teatrit Kombëtar është më e përshtatshme në krahasim me skenat e tjera ku ne po debutojmë”, u shpreh Alketa Haxhiu-mjeshtre.
“Piter Pan dhe aventurat në Ishullin e Kërkundit” është një shfaqje për këdo që ende beson se mund të fluturojë, sepse, thellë-thellë… të gjithë nga pak jemi Piter Pan!”
Top Channel