Ashtu siç pritej brenda 15 ditëve ka ardhur edhe ndarja më e madhe brenda gjirit të partisë opozitare Syriza.
Një grupim tjetër, i kryesuar nga ish-ministrja e Punësimit dhe kandidate për kreun e partisë, Efi Ahtsioglou me një letër të publikuar në gjithë mediat dhe të nënshkruar nga 57 anëtarë, ka deklaruar largimin e tij dhe krijimin e një grupi të ri parlamentar.
Bëhet fjalë për ndarjen më të madhe pas largimit në fillim të këtij muaji të 45 anëtarëve të saj të grupimit të ashtuquajtur “Οmbrella”, të kryesuar nga ish-ministri i Financave, Efklidhis Tsakalotos dhe tashmë partia më e madhe opozitare e Greqisë mbetet me vetëm 36 deputetë, nga 47 që kishte pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Tashmë ka vetëm 4 deputetë më shumë se socialistët e Pasokut që ndodhen në vendin e tretë. Edhe në një sondazh të ditëve të fundit pasqyrohet dobësimi i fuqisë të të majtëve, të cilët pas humbjes së turpshme në zgjedhjet e dyfishta parlamentare në majin dhe qershorin e kaluar dhe pas dorëheqjes së liderit të saj Aleksis Tsipras, jo vetëm që nuk kanë parë arsyet e humbjes, por kanë filluar grindje dhe polemika të papara në gjirin e Syrizës.
Dy grupimet që janë larguar kanë deklaruar se nuk shohin tek lideri i ri i Syrizës, homogjeni greko-amerikan Stefanos Kasselakis, një politikan që përçon vlerat e të majtës greke. Në të njëjtën kohë ikjen e tij nga Syriza ka deklaruar edhe një eurodeputet i zgjedhur prej kësaj partie, lideri i Eurogrupit SYRIZA-Aleanca Progresive dhe njëkohësisht zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Dhimitri Papadhimulis, i treti që largohet brenda muajit të fundit.
Ndarja e partisë më të madhe opozitare vjen në një moment të vështirë për qytetarët të cilët shohin rritjen e përditshme të çmimeve të artikujve të shportës ushqimore, rritjen e çmimeve të banesave dhe qirave, ndërsa qeveria ka rritur taksat ndaj një pjese të mirë të bizneseve të vogla të cilat deklaronin të ardhura minimale duke ju shmangur shumicës së tatimeve.
Top Channel