Nën akuzë për korrupsion, SPAK dërgon për gjykim çështjen e Ilir Kapetanit! Ish-inspektori i Kadastrës i përfshirë në 22 raste

22/11/2023 10:21

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal ndaj ish-inspektorit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Ilir Kapetani.

Në përfundim të hetimeve, SPAK ka provuar se i pandehuri Kapetani, ka kërkuar dhe ka marrë përfitime të parregullta, në formën e shumave monetare, nga qytetarë të ndryshëm dhe nga trashgimtarë të ish-pronarëve, në këmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Kapetani akuzohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në 22 raste.

Ndërkohë, të pandehurit D.L., A.G., D.D., V.Z., I.L., XH.V., G.T., L.A., J.Z., A.H., V.B., I.K., R.M., L.B., M.I., Y.N. dhe M.SH, të cilët janë subjektet që kanë dhënë përfitimet e paligjshme, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të kësaj çështje penale.

Top Channel