Kompania Microsoft i ka ofruar stafit nga OpenAl pagën njësoj si e kanë pasur.

Sam Altman u shkarkua si kryeshef ekzekutiv të premten,  dhe iu ofrua punë në Microsoft për të udhëhequr “një ekip të ri të avancuar të kërkimit të inteligjencës artificiale (AI)”.

Pothuajse çdo anëtar i stafit në OpenAI ka kërcënuar se do të largohet nëse Sam Altman dhe bashkëthemeluesi, Greg Brockman, nuk rikthehen në detyrë.

Është ende e paqartë nëse Altman t do t’i bashkohet Microsoft-it, i cili është investitori më i madh i OpenAI deri tani.

Evan Morikawa, një menaxher angazhimi në OpenAI, ka pohuar se 743 nga 770 punonjës në OpenAI kanë nënshkruar një letër duke i bërë thirrje bordit të japë dorëheqjen, ndryshe kërcënojnë të largohen nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Në letrën e tyre ata pretendojnë se u është ofruar punë në Microsoft, ku shefi teknik i gjigantit të teknologjisë Kevin Scott, e ka konfirmuar duke i thënë stafit se “nëse është e nevojshme ata do të punësohen nga Microsoft me të njëjtën pagë që kanë pasur në OpenAI”.

Stafi është në revoltë të hapur pas largimit të Altman. Ata kanë kërkuar që ai të kthehet dhe bordi të shkarkohet, por saktësisht se çfarë po ndodh me ish-shefin ekzekutiv të kompanisë është ende e paqartë.

Në mes të gjithë kësaj është Emmett Shear, ish-kreu i Twitch, i cili është emëruar kreu i ri i përkohshëm i OpenAI pas largimit të Altman.

Top Channel