Disiplina “kyç” stadiumin e Vorës, dënohet edhe sulmuesi i Flamurtarit

21/11/2023 17:33

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur këtë të martë për të shqyrtuar sjelljet josportive në aktivitetet e Kategorisë së Parë, të dytë dhe të moshave.

Në fokus ishte padyshim goditja e arbitrit nga ana e tifozëve të Vorës, në ndeshjen ndaj Apolonisë në “Loni Papuçiu” të Fierit. Kështu klubi i Vorës u dënua me 200 mijë lekë gjobë dhe mbylljen e dyerve të stadiumit për katër ndeshje.

Nga ana tjetër, me gjobë për mospërmbushjen e detyrimeve u dënua edhe klubi i Apolonisë. Dënim me katër ndeshje edhe për sulmuesin e Flamurtarit, Odaildo, për sjellje të dhunshme ndaj kundërshtarëve.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës:

– FK Apolonia, për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

– KF Vora, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, duke shkaktuar dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe duke hyrë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë dhe zhvillimin e 4 (katër) ndeshjeve pa spektatorë.

– Lojtari i Flamurtari FC, Souza De Oliveira Odaildo, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtarë, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

– Lojtari i KSSH Veleçiku, Besard Cokaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

– Lojtari i KSSH Veleçiku, Redmir Lopci, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

– Rrëzimin e kërkesës së zyrtarit të FC Lushnja, Marius Sula, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.

– Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Iliria, Gojardo Xeka, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.

– Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Besëlidhja, Klejdi Dibra, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikes.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit./ SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA