Podcasti i radhës i kryeministrit Edi Rama iu dedikua katër vajzave të talentuara të fushës së kreativitetit, të cilat kanë fituar edhe çmime ndërkombëtare.
Sipërmarrëset e reja, Xhorxhia, Sonila, Samuela dhe Esmerinam, të cilat merren me dizajn, arkitekturë dhe krijimtari çmime të fituara nëpër kompeticione, të cilat kanë sjellë risi në treg ide dhe produkte inovative.
Ato treguan sesi nisën të operonin në fushën e krijimtarisë dhe për përvojën e tyre jashtë vendit, për tu ktjyer më pas në Shqipëri ku kanë nisur bizneset e tyre.
Lidhur me dizajnin, Rama tha se vitin tjetër në Tiranë do të organizohet eventi “Vogue Italia” për të prezantuar një numër të stilistësh dhe modelesh nga Italia.
Biseda e plotë:
Kryeministri Edi Rama: Episodi 10 i sezonit të dytë të podkastit “Flasim’’ do të zhvillohet në rrethim. Jam i rrethuar si asnjëherë më parë, por jam i rrethuar njëkohësisht si asnjëherë më parë, edhe përsa i takon risive të tryezës me 4 vajza të talentuara të fushës së kreativitetit, të krijimtarisë: dizajn, arkitekturë, por më shumë se kaq, përmes dizajnit dhe arkitekturës dhe çmime të fituara nëpër kompeticione, risi në treg, ide, produkte inovative, energji e madhe diellore këtu, por ju jeni duke më ndjekur, kështu që këtë nuk ua përcjell dot. Shpresoj tua përcjellin vajzat. Në të majtë është Xhorxhia, Xhorxhia jo bjonde, po brune këtë herë, pastaj është Sonila, pastaj është Samuela dhe Esmerina. Ok. Atëherë ta fillojmë djathtas apo majtas? Ju çfarë preferoni, djathtas apo majtas?
-Djathtas pak më mbarë për ne që të shkojmë me të djathtën.
Kryeministri Edi Rama: Djathtas pak më mbarë. Djathtas pak më mbarë është iluzion. Majtas pak më mbarë, është shpresë. Dakord. Po e fillojmë djathtas, mbase më për mbarë dhe po e fillojmë nga ty.
-Fiks e djathta. Përshëndetje! Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: E djathta që rri majtas është fiks.
-Unë jam Esmerina nga Bis Studio, një studio që krijon video-lojëra..
Kryeministri Edi Rama: Ç’do me thënë nga Bis Studio, ke lindur në Bis Studio?
– Jo, nuk kam lindur, por kam bërë që Bis studio të lindë.
Kryeministri Edi Rama: Ku ke lindur?
-Në Pogradec.
Kryeministri Edi Rama: Në Pogradec. Dhe jeton në Pogradec apo në Tiranë?
– Po, jetoj në Tiranë prej 2015 jetoj në Tiranë për shkak të disa lëvizjeve që kam bërë jashtë Shqipërie, jam kthyer përsëri në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama: Po sa vjeç je ti?
– 28.
Kryeministri Edi Rama: Ah, mirë. Domethënë paske pasur një periudhë të mjaftueshme për të kuptuar se ku do të jetosh.
– E vërtetë. Po, po. Dhe në fakt lëvizja jashtë Shqipërie ka ndodhur në moshën 16-vjeç dhe ka qenë edhe eksperienca e parë jashtë vendit dhe në fakt është pak ajo mosha që ne të gjithë mendojmë se deri diku mund të gjejmë veten, por në të njëjtë kohë shohim edhe perspektiva të reja, edhe pikërisht perspektivat e reja më bënë që të rikthehesha sërish në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama: Ok, do të kthehemi përsëri tek kthimi në Shqipëri, ndërkohë po kalojmë djathtas në të majtë. Djathtas në të majtë i bie që je ti, se je në të majtën e Samuelës.
-Kam lindur në Tiranë, kam jetuar mes vendit të dytë më të bukur në botë, Italisë, pas Shqipërisë dhe në Shqipëri ku kam vendosur të filloj dhe aktivitetin tim, iniciativën që quhet Destil Creative Hub. Jam shumë e lumtur që jam sot këtu, edhe pse doja të bëja një ndërhyrje të vogël. Sot kam një spektator më pak, gjyshin tim, që dua ta përshëndes. Dua vërtetë t’i dedikoj një përshëndetje gjithë gjyshërve dhe gjysheve në Shqipëri se janë forca dhe pasuria më e madhe që ne kemi. Jam shumë e lumtur të ndaj këtë eksperiencë sot këtu me ju, edhe me vajzat që i njoh se janë pjesë e programeve që në zhvillojmë brenda hapësirës që quhet Destil.
Kryeministri Edi Rama: Po ju punoni bashkë apo veç e veç?
-Ne bashkëpunojmë, por në të njëjtën kohë, në sipërmarrje gjithmonë është shumë i rëndësishëm fakti i bashkëpunimit sepse jo të gjitha ne operojmë në të njëjtin treg, por në të njëjtën kohë operojmë..
Kryeministri Edi Rama: Më pëlqeu kjo. Unë thashë që punoni bashkë, ti the “jo, ne bashkëpunojmë’’. Domethënë punoni veç por..
-Ne bashkëpunojmë për aktivitete të ndryshme, për programe të ndryshme dhe normalisht për të avancuar më tepër edhe punën tonë, edhe produktet që ne kemi, sepse realisht e shohim njëra-tjetrën si mbështetje dhe ato që besojmë tek puna e njëra-tjetrës.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë jeni në një hapësirë?
-Fizike? Jo.
Kryeministri Edi Rama: Po jeni në një hapësirë kreative.
-Frekuenca.. le të themi që operojmë në një frekuencë së bashku.
Kryeministri Edi Rama: Bukur.
-Jam lindur dhe rritur në Korçë. Jetoj tashmë prej 10 vitesh në Tiranë. Sipërmarrja ime quhet “Thurje handmade’’ dhe është një brand i punimeve artizanale me dizajn kontemporan. Ju falënderoj shumë për ftesën. Është një kënaqësi që të ndajmë këtë tryezë sot bashkë.
Kryeministri Edi Rama: Po thurjet i ke filluar në Korçë apo ke qenë dhe ti jashtë dhe pastaj je kthyer? Si ka qenë rruga?
– Jo, unë nuk kam qenë jashtë Shqipërie. Thjesht jam zhvendosur nga Korça në Tiranë. Motra që është bashkëthemeluese, ajo ka studiuar arkitekturë në Itali dhe është rikthyer në Tiranë.
-Unë jam Samuela. Jam arkitekte dhe gjithashtu unë si motra e Xhorxhias, kam studiuar në Firence. Jam kthyer në 2015 në Shqipëri dhe nga ai moment kam punuar vitet e para në studio arkitekture në vend dhe më pas jam shkëputur për t’iu dedikuar realizimit të produkteve, të cilat mund t’i kontrolloja më shumë në procesin e realizimit dhe të konceptimit, dhe sidomos të shprehnin parimet që unë mbart në lidhje me cilësinë, me estetikën dhe materialet e përdorura në to, në të cilat unë besoj. Flas kryesisht për materiale natyrale, duke krijuar produkte, të cilat pasi përfundojnë ciklin e tyre të jetës, është e mundur që ato të dekompozohen në natyrë, pa lënë një impakt të madh në ambient më pas.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë merresh me dizajn?
– Unë merrem me dizajn. Po fokusohem më shumë vitet e fundit ne dizajnet e mobilieve, si ne ambientet e brendshme dhe në ambientet e jashtme dhe së fundmi kam fituar dhe një çmim në Akademinë për Femrat Sipërmarrëse, një aktivitet i cili u mbështet dhe u financua nga Ambasada Amerikane dhe u realizua nga Destil Creative Hub. Kjo është një nga ato programet që ne na bashkojnë të gjithëve dhe ishte një eksperiencë shumë e bukur, pasi arrita që të sjell në jetë një ide, idenë për një abazhur, i cili ndodhet këtu në krahun tim. Ky abazhur u krijua nga dëshira për të ripërdorur një copë betoni. Kjo bazë, është një copë betoni, e cila origjinën e ka si një test për betonin që do të përdorej në sheshin e ndërtimit për sheshin “Skënderbej”. Ky ishte funksioni i parë dhe më pas do të hidhej. Fatmirësisht, kjo copë betoni u ruajt deri në ditën e sotme dhe unë arrita, më ndihmoi që të krijoja prototipin e parë të një linje abazhurësh që unë dua të realizoj, të cilët bazë do kenë këto prova betoni, të cilat merren nga kantiere të ndryshme të Shqipërisë dhe pasi e kryejnë funksionin e tyre, unë dua t’u jap një funksion të ri dhe t’i shndërroj në objekte dizajni të cilësisë së lartë, duke e kombinuar me një kokë druri, i cili është gjithashtu një material i biodekompozueshëm. Është i lyer vetëm me vaj nga farat e linit, prapë një material ekologjik dhe besoj që ky është produkt i parë që shpreh më së miri atë në të cilën besoj dhe kjo është sfida, që i gjithë brezi jonë sot ndeshet; sfida ekologjike dhe ndërtimi i një të ardhmeje më cilësore.
Kryeministri Edi Rama: Sa veta morën pjesë në konkurs?
– Në konkurs morën pjesë 30 persona. Ne ndoqëm një program që na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë sepse dhe unë vij nga një fushë kreative dhe nuk e kisha shumë të qartë se si duhej të procedoja për të sjellë në jetë idenë time dhe falë këtij programi që u implementua nga Destil Creative Hub, patëm mundësinë që të trajnohemi dhe të komunikojmë me profesionistë të fushës së biznesit, të cilët arritën të na qartësojnë idetë tona, të na sjellin me këmbë në tokë. Në shumë momente të na e bëjnë shumë të vështirë sepse normalisht janë shumë faza dhe shumë bashkëpunëtorë që ne punojmë dhe në fakt dhe këta abazhurë, përveç grumbullimit të këtyre të pjesëve të betonit nga institucionet që testojnë betonin, koka është e punuar nga artizanë shqiptarë me metoda totalisht artizanale dhe kjo është një vlerë tjetër që dua të risjell nëpërmjet punës time.
Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë që ti je arkitekte dhe je dhe je bashkëthemeluese e Destil Creative Hab, me vajzat apo janë të tjerë bashkëthemeluesit?
-Jo, është dhe parteri im, Ervis Hoxha që si profil është gazetar dhe baterist. Ka qenë baterist i një grupi Super Nova. Dhe ka dhe pjesën e pasionit të muzikës që është një nga industritë që janë pjesë e industrive krijuese, e ku ne fokusohemi me Destilin. Në vitin tim të fundit të arkitekturës, së bashku me kolegë të tjerë, që sot nuk janë më pjesë, por ishin iniciues të kësaj sipërmarrje, vendosëm të rijetëzonim një vilë të vjetër që ndodhet tek Liceu Artistik, zonë në të cilën jam rritur dhe t’i jepnim një funksion për ta kthyer në një hapësirë ku studentë të arkitekturës mund të vinin të punonin, të bashkëkrijonin, të ishin në një ambient të sigurtë. Gjithashtu për të krijuar dhe një ekonomi rreth gjithë kësaj iniciative, vendosëm të kishte dhe një bar, të kishte dhe një hostel që bënte bashkë disa komunitete, edhe komunitetin ndërkombëtar. Terma siç ishin Co-working, Co-living, nuk ishin të njohura në atë periudhë në 2014, fillova t’i zbuloja me kalimin e kohës. Duke punuar, duke mësuar. Hapësira mori emër shumë të mirë, filloi të frekuentohej nga shumë institucione, organizata, ambasada që e shihnin si pikë interesante për aktivitete që kishin të bënin me të rinjtë, për ta përdorur.
Kryeministri Edi Rama: Sa njerëz xhirojnë në këtë konstelacion?
-Destil ka krijuar sot pas gati 10 vitesh shumë realitete të tjera. Siç tha dhe Esmerina, ne bashkëpunojmë, suportojmë njeri-tjetrin dhe disa nga këto realitete mund të ecin vetë dhe përtej Destilit.
-Me programet tona kemi trajnuar diku tek 85 vajza këto vite sidomos me programin Akademisë për Gratë Sipërmarrëse, i cili është i financuar nga ambasada amerikane, Departamenti i Shtetit. Është një program që bazohet në platformën e krijuar nga Arizona University, “Dream Builder” që i jep mundësi vajzave të ndjekin hap pas hapi të gjitha pikat sesi mund të krijojnë një plan biznes dhe të strukturojnë idetë e tyre. Për shembull unë vet kam patur familjen time si mbështetje kryesore për të kuptuar sesi mund të hyja në botën e biznesit. Sot, jemi këtu me disa vajza që kanë zgjedhur dhe ato të jenë në sipërmarrje dhe jemi në kuadër të javës globale të sipërmarrjes që po ndodh në Tiranë ku Destil i ftuar dhe nga implementuesit e tjerë, “Ofiçina”, nga Ministria e Sipërmarrjes është një nga lokacionet ku zhvillohen disa nga aktivitetet. Para se të isha këtu, isha pjesë në një panel për pronësinë intelektuale që është shumë e rëndësishme si temë diskutimi për këdo që do të nisë një biznes, do të krijojë një brand të tij dhe jam shumë e lumtur që sot ekzistojnë të tilla mundësi, të cilat në 2014 nuk i kemi patur. Dhe shumica prej tyre janë të aksesueshme pa pagesë. Vijnë për këdo që ka dëshirë që të jetë pjesë dhe të integrohet. “Thurje” është gjithashtu një nga start up-et që kanë qenë pjesë e këtij programi. Ndriçuesi i Samueles është gjithashtu një nga këto start up-e.
Esmerina është një bashkëpunëtore me të cilën prej 2 vitesh tashmë koordinojmë këtë program, gjithashtu dhe vetë i është futur iniciativës së saj që është bota e Gaming, që është dhe ajo një hallkë shumë e rëndësishme e industrive krijuese. Kemi iniciativa si The Albania Cinematheque, kinemaja shqiptare, e cila po fillon po zhvillohet brenda Destilit nga Iris Elezi. Kemi iniciative si Bulevard Art and Media Institut që është galeria që ndodhet në “Minus 1” tek hapësira jonë, të cilën e kam bashkëthemeluar me një kolegen time italiane që ka 6 vite që ka vendosur të jetojë në Shqipëri dhe t’i dedikohet kontekstit të artit bashkëkohor shqiptar dhe kështu iniciativa të tjera që lindin edhe brenda ose që mirëpresim brenda hapësirave tona, që janë diku te, Destili ndodhet te bulevardi Zogu i parë, janë 1800 metra katrorë të ndarë në 6 nivele. Minus 1 është galeria. Kati përdhe është bari, kafeteria, hapësira për evente. 3 kate janë co-working space të ndara mes Shared space që t’i merr një tavolinë ditore, javore ose mujore. Kemi freelancer të ndryshëm, nomadë digjital që vijnë e përdorin. Po kemi dhe persona që janë po prapë freelancer nga Shqipëria që kanë preferuar në vend të paguajnë qira për një ambient, paguajnë qira për një tavolinë dhe të ndajnë hapësirën, se më e rëndësishmja është ndarja e hapësirës më persona të tjerë mbi të cilën mund të mbështetesh kur je në hapat e parë të një sipërmarrjeje dhe kur je ende i vogël. Kjo është pak a shumë çfarë Destil bën në këtë periudhë.
Kryeministri Edi Rama: Beautiful! Ne kemi në plan të organizojmë vitin e ardhshëm një event me Vogue. Vogue Italia, ata bëjnë çdo vit evente, një event te madh në rrugë, këtë vit ishin në New York, vitin tjetër do ta bëjnë në Tiranë për të prezantuar një numër stilistesh edhe do të sjellin një numër modelesh nga Italia. Por, gjëja qe ne po përpiqemi të bëjmë është diçka pak më të gjerë se kaq. Kështu që, mbase kjo është dhe arsyeja që rasti e solli që të takoheshim se mund të bëjmë një bashkëpunim me ju edhe mbas bisedës ju them pak më shumë se si mund të bashkëpunojmë dhe në çfarë hapësire mund të përfshiheni. Ndërkohë që, “Thurja” ka nisur në Tiranë apo ka nisur në Korçe një herë?
-Thurja ka nisur në Tiranë
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka nisur asnjëherë në Korçë?
-Asnjëherë!
Kryeministri Edi Rama: Që thurja ka nisur në Korçë, nuk diskutohet, por unë po them për “Thurje”-n tuaj. Jeni nisur nga se? Pra ti e mohon që të qenit korçare nuk ka lidhje me thurjen?
-Jo, absolutisht. Ka lidhje.
Kryeministri Edi Rama: Ju ja morët thurjen Korçës dhe erdhët ta sillnit në Tiranë. Kjo është ideja!
-Po. Thurja handmade ka qenë ideja e mamit tonë.
Kryeministri Edi Rama: E sheh, një korçare 24 karat besoj!
-Mami drejton një organizatë jofitimprurëse në Korçë dhe para 3-4 vitesh ka pasur një projekt me gratë artizane të zonës dhe duke parë talentin e tyre pati këtë idenë për të sjellë artizanatin me dizajn kontemporan, me dizajn origjinal.
Kryeministri Edi Rama: Ju bëni ato qilimat ekstravagantë që më pëlqejnë mua! Tani e kuptova, po.
-Dhe na i prezantoi mua dhe motrës si ide. Ne na pëlqeu shumë dhe aty pastaj filluam të bënim një plan biznesi, të krijonim një brand dhe t’i jepnim një identitet Thurjes.
Kryeministri Edi Rama: Kemi bërë dhe bashkëpunime më duket, në distancë pa u njohur dhe është e vërtetë, apo e dini? Kemi bërë bashkëpunime, i kam kërkuar të kthejnë në qilima dy vizatime fëmijësh dhe janë dy qilima të jashtëzakonshëm, shumë të bukur.
-Më bëhet shumë qejfi që i pëlqen.
Kryeministri Edi Rama: Më pëlqejnë shumë! Dhe tani sa vite u bënë që ju e zhvilloni këtë aktivitet?
Ky është viti i tretë që ne operojmë me Thurjen.
Kryeministri Edi Rama: E keni zhvilluar si prodhim apo jeni të limituar në prodhim?
-Jemi munduar dhe tani po fillojmë që të diversifikojmë pak dhe rangun e produkteve që të mos mbetemi më vetëm tek qilimat. Duam të fusim edhe disa produkte më të vogla dhe më të aksesueshme nga njerëzit, gjithmonë duke mbetur prapë në aksesorët e dekorit për shtëpitë apo bizneset. Flas produkte të vogla si jastëkë dekorativë apo dhe gjëra të tjera funksionale që mund të përdoren në ambiente. Gradualisht jemi munduar që të rritemi, kuptohet që kemi hasur goxha vështirësi, sidomos edhe me burimet njerëzore. Artizanati është një vlerë që sa po vjen e po zhduket, fatkeqësisht, kështu që edhe një nga qëllimet tona është që të mundohemi dhe të hapim disa workshop-e ku mbase të trajnojmë edhe të rinj që të mësojnë artizanatin. Në këtë mënyrë dhe për të vazhduar një vlerë kulturore që ne kemi, por pse jo edhe për një perspektivë më të mirë të thurjeve handmade.
Kryeministri Edi Rama: Unë kam shumë besim që nëqoftëse ju do të rezistoni, juve do të bëni sukses të madh, por duhet të rezistoni si fillim dhe e di që është e lehtë ta thuash, por është më e vështirë ta bësh sepse tregu është një lloj kafshe e egër që duhet shumë durim për ta zbutur dhe për ta bërë për vete, por unë mendoj që qilimat që ju bëni kanë shumë potencial për t’u kthyer në diçka të jashtëzakonshme. Flas, jo vetëm për kontekstin këtu, por edhe përtej Shqipërisë.
-Faktikisht, ne këto vite nuk është se kemi nxjerrë jashtë Shqipërie shumë produkte nga thurja, por preferohet goxha nga turistë apo të huaj që janë të punësuar dhe jetojnë në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama: Ju ku i shisni produktet?
-Ne produktet i shesim online. Së shpejti edhe në dyqanin që Destil do të hapë. Kuptohet, nëpërmjet kontakteve personale, biznese dhe klientë individualë.
Kryeministri Edi Rama: Kurse ti merresh me lojëra. Me çfarë luan?
Unë në përgjithësi luaj lojëra Multiplayer sepse dhe vetë loja e parë që ne kemi prototipin dhe demo është një lojë multiplayer, luhet në desktop, duhet të jemi disa veta si për shembull, jemi 5 këtu mund ta luajmë lirshëm. Është një lojë nën ujë për të gjithë fansat e Blur që e kanë pas luajtur lojën me makina me gara, ka të njëjtën nostalgji, por në fakt përkthehet në vend të makinave kemi krijesa deti, ku një prej tyre është Jork, që unë e kam të veshur sot ndërsa krijesa tjetër është një breshkë dhe e gjithë gara zhvillohet nën ujë. Është një lojë e parë sepse vetë studioja ka dy vite që është krijuar dhe normalisht, në industrinë e lojërave ka një fazë të zhvillimit shumë më të avashtë sepse do duhet që si fillim të provosh vetes që ti mundesh të ndërtosh një lojë, do duhet të kesh një portofol shumë të mirë, do duhet të bindësh investitorët që të investojnë tek loja jote. Në përgjithësi, në Shqipëri investitorët janë pak skeptikë pasi nuk kanë në portofolin e tyre një lojë që kanë investuar, kështu që na duhet që të bëjmë kërkim gjatë gjithë kohës jashtë vendit, por kjo nuk është aspak problem sepse mendoj se paralelisht kjo industri do të zhvillohet në Shqipëri dhe duhet të zhvillohet, por do duhet të ndërtojmë pak edhe kapacitetet. Kur flas për kapacitete flas në sensin e individëve që duan të përfshihen në këtë industri. Për t’u konkurruar në rang botëror, ne na duhet të rrisim edhe fuqitë tona, muskujt tonë për të dhënë produkte sa më cilësore.
Kryeministri Edi Rama: Po loja e parë si ka ecur?
-Loja e parë e kemi një prototip të cilin ne jemi gjatë gjithë kohës duke kërkuar për investim. Është shumë e vështirë për të marrë investim specifikisht për këtë lloj zhanri sepse është pak i vështirë. Flasim për një treg ku më së shumti tani janë duke investuar për lojëra mobile sepse njerëzit janë gjatë gjithë kohës në telefon, por ama, tregu i lojërave desktop është shumë serioz për të gjithë lojtarët që luajnë lojëra seriozisht, arrijnë të paguajnë, i dedikojnë kohë, i dedikojnë edhe pajisje, por që është një lojë e parë që ne kështu e quajmë si një produkt i joni i parë dhe paralelisht jemi duke u munduar të krijojmë një narrativë tjetër.
Kryeministri Edi Rama: Sa është investimi?
-Investimi zakonisht për një lojë të tillë, është 250 mijë euro. Kjo sepse 3/4 e buxhetit të investimit është marketingu. Duke qenë se është një industri që flasim për argëtim, lekët më të mëdha shkojnë normalisht për marketingun dhe do duhet që t’iu shkojë njerëzve sa më shumë përpara syve dhe pastaj pjesa tjetër shkon për ekipin e zhvillimit.
Kryeministri Edi Rama: Sa veta jeni në këtë?
-Momentalisht jemi 5 veta.
Kryeministri Edi Rama: Cfarë profili janë?
Ne kemi një zhvillues, një CTO, një dizajner dhe unë bashkë me Lorenën jemi dy vajzat që merremi me pjesën operacionale sepse jemi ato persona që dalim, takojmë njerëz.
Kryeministri Edi Rama: Këta të tre janë djem. Pra, jeni dy vajza që i keni vënë djemtë në punë dhe vetë dilni që si të shisni.
-Interesante e vendosur kështu, por po.
Kryeministri Edi Rama: Ashtu është, interesante. Ju jeni dy drejtore dhe aty janë tre djem që rrinë përpara kompjuterit dhe prodhojnë.
-Por sepse ata ndjehen më mirë aty ne ndjehemi më mirë këtu.
Kryeministri Edi Rama: Patjetër, patjetër. Ju atë keni pasur parasysh, si të ndjehen ata më mirë dhe prandaj i keni bërë zap. Nejse, bëj shaka, por realisht është shumë impresionuese që ju jeni katër individë me ambicie dhe me talent dhe në ndërkohë, jo vetëm jeni të fokusuar tek zhvillimi i një talenti tuaj, nëpërmjet asaj gjësë më vete, por edhe keni këtë bashkëpunimin kreativ për t’i dhënë më shumë forcë vetes, duke qenë bashkë me të tjerë dhe kjo është shumë impresionuese, por është edhe shembullore dhe prandaj besoj që ju jeni vlerë e shtuar për këtë bashkëbisedim që unë bëj çdo javë, por doja t’iu pyesja pak për nga vini, në sensin e familjes, në sensin e ushqimit që keni marrë nga pikëpamja e edukimit dhe e kurajës sepse për hir të vërtetës, duhet një kurajë ekstra, duke qenë vajzë edhe duke thënë “Jo, unë jam zot i fatit tim dhe unë do hyj dhe do luftoj në një sipërmarrje timen”. Duhet pak ekstra kurajo, për hir të vërtetës dhe mbasi Xhorxhia na tregoi që është e ëma që e ka hapur këtë dritare nga ku pastaj dy motrat janë hedhur dhe tani po përpiqen të vrapojnë, doja të pyesja duke filluar nga ti, si ka qenë fëmijëria dhe si mendon ti që është formuar pak nga pak ky dell i kompeticionit dhe i marrjes së fatit tënd në dorën tënde, përmes një sipërmarrjeje?
-Në fakt, unë e thashë pak edhe në fillim. Unë jam nga Pogradeci dhe normalisht, Pogradeci është një qytet që është i qetë, ka njerëz shumë të butë, shumë pozitivë do i quaja sepse ashtu ndjehemi. Në një qytet të vogël, ti gjithmonë kërkon që të eksplorosh edhe më shumë, por të paturit edhe një shtet tjetër afër që ka qenë Maqedonia na ka bërë gjithmonë që edhe me prindërit kemi pasur mundësi të lëvizim dhe të kuptojmë pak se çfarë bëhet që në moshë të vogël.
Pastaj dëshira e babit, në rastin tim, është dëshira e babit që na ka shtyrë gjithmonë edhe mua edhe motrës, sepse jemi dy motra, të vazhdojmë e të mundohemi të dalim përtej Pogradecit dhe ajo çfarë na shtyu ishte të shkonim jashtë Shqipërie, në Gjermani, e na bëri të kishim eksperiencën e saj. Na tha thjesht të kuptoni nëse është diçka që ju vërtetë doni të eksploroni. Shkuam, e provuam, u rikthyem e ka qenë përsëri ai person, kjo figurë.
Kryeministri Edi Rama: Në Gjermani shkuat për studime? I bëtë studimet atje?
– Unë në fillim mbylla gjuhën dhe më pas u regjistrova në gjimnaz sepse isha më e vogël, ndërsa motra mbylli vetëm gjuhën sepse gjimnazin e kishte mbaruar dhe më pas e lash gjimnazin përgjysmë. U ktheva dhe e mbylla tek Qemal Stafa.
Kryeministri Edi Rama: Pse e le gjimnazin?
– Një faktor është sepse isha e vogël dhe nuk e kuptoja, pak largësia nga familja më pas dhe fakti i të qenit në një shtet tjetër që nuk është vendi jot, të paktën unë e shihja në ëndrrat e mia që doja të arrija shumë lart e në një vend tjetër të botës që nuk është vendlindja është shumë e vështirë që nga momenti që thua “mirëmëngjes” sepse nuk je me ato fytyra apo me atë kulturë që je rritur dhe mendoj që kjo ka qenë arsyeja pse jam rikthyer sepse nuk jam ndjerë mirë. Unë jam një person që i bëj gjërat dhe me shumë ndjeshmëri dhe nëse është diçka që nuk më përfshin emocionalisht, patjetër që bëj zgjedhjen mos ta vazhdoj, por u riktheva dhe përsëri ishte babi ai që më shtyu të vazhdoja dhe me besim të plotë më ka ndjekur në çdo hap që kam qenë, përtej faktit që kam studiuar planifikim dhe menaxhim urban, dhe përtej asaj unë vazhdoja të shihja aspektin e sipërmarrjes dhe mundohesha të merrja pjesë në të gjitha aktivitetet që kanë qenë aktivitete mentorimi, të ndryshme e derisa pastaj kam pasur një biznes shumë të vogël më përpara që nuk funksionoi dhe tani jam në biznesin e videogames.
Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë që keni bërë prototipin e parë dhe nuk e keni gjetur akoma investimin, si mbijeton studio?
– Në fillim studio ka nisur si një studio që ofronte shërbim për palë të treta, për studio të huaja që ndërtonin produktet e tyre dhe ajo që bëmë është që mblodhëm kapitalin për 7 muaj dhe me këtë kapital vendosëm të investojmë në produktin e parë. Bëmë produktin e parë dhe tani paralelisht jemi duke punuar me programe të tjera për rritjen e kapaciteteve.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë vazhdoni bëni punë për të tjerët?
-Po patjetër
Kryeministri Edi Rama: Me kë po punoni për të rritur kapitalin?
-Mënyra se si jemi duke operuar është nëpërmjet programeve të ndryshme të mbështetjeve. Jemi duke bërë community building që ka një rëndësi të madhe për industrinë e lojërave. Ne sapo kemi bërë një game me një investim që kemi marrë nga EU4Inovation.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë punoni me projekte
– Për të mbajtur gjallë ose më saktë për të ndërtuar këtë industri e në të njëjtën kohë jemi duke ideuar një lojë tjetër që akoma nuk e kemi narrativën. Kjo për të fuqizuar pak edhe portofolin tonë.
Kryeministri Edi Rama: E qartë, fillimisht keni punuar për jashtë duke qenë në Shqipëri. Keni krijuar prototipin e tani punoni me projekte për të gjetur financime të tjera për të rritur kapitalin. Po si është udhëtimi deri këtu? Domethënë si ka nisur? Nga e ke marrë shtysën?
– Unë në fakt në familje nuk kam asnjë person që merret me fushën e dizajnit apo arkitekturës, por në fakt mamaja ime ka pasur ëndrrën e saj që të bëhej arkitekte. Në pamundësi ndonjëherë bën shaka dhe thotë të kam pëshpëritur në vesh që të vazhdojë në këtë drejtim. Unë mendoj që duke qenë se jam rritur në një ambient shumë të butë, në sensin që nuk kemi qenë asnjëherë të detyruar që të ndjekim disa ëndrra apo të bënim kurse të detyruara në vende të tjera, na ka lënë mua dhe motrën time shumë të lira që të eksplorojmë e të eksperimentojmë me interesat tona. Për mua besoj që ka qenë e qartë që në periudhën e gjimnazit që doja të studioja arkitekturën e mbi të gjitha isha shumë e interesuar në historinë e arkitekturës dhe në aspektin estetik.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë të gjitha keni motër, asnjëra nuk ka vëlla?
– Po, dhe kam një mama nga Korça nëse ndihmon dhe kjo.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë 3 mama nga Korça dhe 1 nga Pogradeci.
– Dhe kur e përmenda këtë butësinë dhe një qasje shumë ndryshe ndaj jetës dhe të rritur.
Kryeministri Edi Rama: E the me qëllim për të thënë që nuk është se janë vetëm pogradecarët të butë, jemi edhe ne korçarët. Nejse, me shkallë është kjo. Ju në krahasim me pogradecarët nuk jeni të butë. Pastaj vlonjatët në krahasim me ju nuk janë të butë, e kështu përshkallëzohet. Po Sonila si e ka pasur rrugën drejt zgjedhjes së kësaj rruge?
– Të përmendim dhe një qytet tjetër të rëndësishëm që është Gjirokastra.
Kryeministri Edi Rama: Patjetër ku do shkojmë pa Gjirokastrën.
– Prindërit e babait tim janë nga Gjirokastra kështu që e kemi pak në gjak këtë tregtinë se mbahen.
Kryeministri Edi Rama: Në gjak keni gjë tjetër po nuk po e përmendim.
– Jo kursimtarë po menaxherë. Se dhe vetë strukturat e banesave i kanë ashtu, e ruanin ujin për momentin më të vështirë.
Kryeministri Edi Rama: E dini ju atë barcaletën që thotë pse gjirokastritët nuk merrnin frigorifer? Dhe i mbanin ushqimet pa frigorifer? Sepse nuk kishin bindje që kur mbyllej dera e frigoriferit fikej drita dhe kishin hall mos harxhonin për dritat.
– Nuk kanë fund barcaletat për Gjirokastrën.
– Po thoja që nga ana e babait jam nga Gjirokastra, nga ana e nënës jam nga Korça. Familja ime është marrë gjithmonë me biznes kështu që sipërmarrja ka qenë pjesë e imja që e vogël. Xhaxhai im ka emigruar në Itali dhe me babain tim në Shqipëri filloi biznesin e tij me goma, ky është biznesi familjar dhe vendosi të rikthehej pas një periudhe të gjatë në Shqipëri. Kanë qenë mbështetja ime kryesore në momentin që unë shpreha dëshirën për të iniciuar Destilin dhe ndoshta edhe pa e kuptuar tamam se çfarë kisha unë dëshirë të bëja me këtë hapësirë, kush ishte qëllimi se ndoshta dhe sot është pak e paqartë, por sidomos në 2014 ishte pak e vështirë për të kuptuar një hapësirë të tillë që nuk ishte thjesht një bar-kafe ose nuk ishte thjesht një hostel, por ishte një miks me disa funksione që u zhvillua me kohën. Destili operon në dy forma, është dhe biznes, pra krijon ekonomi në mënyrë që të jetë i pavarur, por është dhe organizatë, të gjitha programet që ne ofrojmë bëhen përmes organizatës. Ne merremi me shkrime projektesh që përgjithësisht janë të fokusuar tek startup, tek industria krijuese dhe tek kultura, ky është fokusi ynë kryesor. Për ta mbyllur këtë cikël gjithmonë jemi në kërkim dhe të mënyrave të ndryshme se si mundet që edhe pas këtyre projekteve t’i bëjmë këto ide të qëndrueshme, duke ndihmuar veten, duke ndihmuar personat që marrin pjesë në program e si rrjedhojë e kësaj gjëje erdhi dhe ideja e dyqanit, që vajzat pasi mbyllin ciklin e përgatitjes për një ide biznesi, kanë një mundësi të kenë dhe ku ti ekspozojnë e t’i shesin produktet e tyre. Gjithmonë e kam pasur brenda vetes time këtë mënyrën e të menduarit se si gjërat mund të gjenerojmë, jo vetëm një të mirë sociale, por të krijojmë një ekonomi që të jenë të vetëqëndrueshme. Sepse edhe familja më ka shtyrë shumë shpesh që të sprovoj veten. Pra, të tregoj gjithmonë që kjo ideja ime, ok mund të mbështetet me një financim fillestar nga ata, por duhet të tregojë që është e qëndrueshme edhe vetë. Duhet të ulem të bëj planin.
Kryeministri Edi Rama: Kuptova, Tani do të doja të kërkoja diçka nga ju të katërta, edhe për ta mbyllur këtë bisedë të parë mes nesh, por jo të fundit, unë të paktën shpresoj. Në rast se ju do të ishit në vendin tim, çfarë do të bënit për veten tuaj. Kush është gati të përgjigjet e para.
-Unë në fakt një gjë shumë të rëndësishme që e shoh paralelisht me veten time si sipërmarrëse është edhe investimi në edukim. Kur flas investimi në edukim e kam fjalën specifikisht për industrinë e lojërave, do të kisha dëshirë të kisha mundësinë të bërjes së disa programeve specifike për ndërtimin e kapaciteteve dhe për dhënien e opsioneve që të rinjtë mund të zhvillohen në programim specifik, për zhvillim lojërash për dizajn specifik për lojërat, sound artist, por edhe një sërë degësh të tjerë. Do të kisha dëshirë që auditoret të jepnin këtë mundësi edhe për industrinë e lojërave, por të paturit auditore plot do kërkojë edhe staf të përgatitur. Kështu që do të doja shumë që të kishte një qasje ndaj kësaj industrie në aspektin edukues, pak a shumë.
-Unë në lidhje, jo vetëm me atë që po përpiqem të përcjell me punën time, por duke e pasur gjithmonë në mendje temën e qëndrueshmërisë apo produkteve miqësore ndaj ambientit do të doja që ndoshta duke filluar nga edukimi të jetë një temë që t’i mëshohet. Sepse në radhë të parë duhet të informojmë dhe ndërgjegjësojmë. Ne si arkitektë dhe çdo njeri në profesionet e tjera dhe tashmë nuk është një temë që ne e diskutojmë për të ardhmen, por është në pragun e derës tonë, po e ndjejmë çdo ditë se çfarë ndryshimesh sjell dhe mendoj që, po, do gjeja mënyrat më të mira për të informuar të gjithë njerëzit mbi këtë temë në mënyrë që ata të ndërgjegjësohen dhe të mendojmë pak më mirë se çfarë duam të konsumojmë dhe si duam shpenzojmë paratë tona. T’i shpenzojmë me më shumë cilësi, për të pasur një të ardhme më të mirë, për ne, fëmijët tanë, për brezat e tjerë që vijmë.
Kryeministri Edi Rama: Flasim për mjedisin
-Po.
-Mendoj që ndihma është gjithmonë e mirëpritur, sidomos duke qenë se vitet e fundit ka pasur edhe goxha edhe më shumë ndërgjegjësim për hapësira që luajnë rolin e facilituesve, ndaj atyre personave që duan të iniciojnë një biznes, një startup. Shpresoj që kjo të jetë edhe më e madhe në vazhdim, sepse do të na ndihmonte shumë që të bënim hapa më të shpejta dhe të kishim rezultate më efektive. Nuk ka qenë e thjeshtë. Në dhjetë vite “Destilet”, unë dy vite kam me pjesën e organizatës, e cila është e dedikuar për të rritur këto kapacitete, pra për të ndihmuar dhe të tjerë që të jenë sipërmarrës, që të iniciojnë idetë e tyre dhe çdo lloj mbështetje në këtë kuadër të këtyre hapësirave është një mbështetje që shkon te persona të tjerë. Le të themi. Është e drejtpërdrejt te bizneset ndoshta më të vogla, por duhen identifikuar kush janë këto hapësira, çfarë bëjnë, se cila prej tyre ka filluar tashmë edhe të specializohet, të profilizohet në një fushë të caktuar dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Përshembull “Destili” po merret me shumë te industria krijuese, ka hapësira të tjera që merren më shumë te teknologjia, e kështu me radhë. Dhe të gjitha këto së bashku krijojnë atë ekosistemin e startup-it që po flasim që është shumë, shumë i nevojshëm sot për t’u rritur në një mjedis më të shëndetshëm, edhe me më pak gabime.
-Ndërsa unë mendoj që mbase krijimi i programeve të ndryshme që mund të mbështesin artizanatin në çfarë do lloj mënyre, qoftë nëpërmjet fondeve apo edukimit, etj, do të ishin vërtet shumë të rëndësishme. Siç e përmenda edhe pak më parë burimet njerëzore janë një nga vështirësitë më të mëdha që ne hasim dhe vërtet mendojmë domethënë që është shumë, shumë e rëndësishme që brezi i ri të edukohet me artizanatin dhe të përcillet si vlerë kulturore dhe për të ardhmen. Kështu që kjo do të ishte një nga gjërat që do ishte me e rëndësishmja. Mjafton të jetë aty programi, pastaj dimë ta shfrytëzojmë vetë.
Kryeministri Edi Rama: Dakord, prisja më shumë kërkesa. Këto mund t’i bëjmë sepse janë gjëra që përpiqemi të bëjmë gjithsesi, por nuk diskutohet që ka nevojë për më shumë dhe mbi të gjitha ka nevojë për më shumë qartësi se “Si”, nuk është thjeshtë çështja “Sa”, nga pikëpamja financiare, por “Si” në mënyrë që ajo që investohet të ketë efikasitet të arsyeshëm dhe të mos jetë një si të thuash “më ka çuar nëna me la gojën”. Unë ju falënderoj për këtë vizitë edhe për bashkëbisedimin, edhe siç e thashë besoj që mund të bëjmë gjëra me vlerë nëse bashkojmë forcat. Edhe do të jetë mirë që të bëjmë një bashkëbisedim tjetër, jo më në këto kushte, po në kushtet e një shkëmbimi të shqetësimeve reciproke. Edhe që të ndodhi kjo, sigurisht unë kam nevojë për një ftesë. Ju këtu nuk erdhët pa ftuar, kështu që unë nuk mund të vij pa ftuar, atje ku zhvilloni ju aktivitetin. Kështu që, nëse me vjen një ftesë, unë ju jap fjalën që unë do të paraqitem aty, edhe do të marr me vete edhe njerëzit që duhet të marrin pjesë në një bisedë të tillë për të kuptuar se si mund t’i ndajmë punët dhe patjetër me ju të katërta, por dhe me të gjithë zogjtë, me të florën dhe faunën e ekosistemit tuaj sepse ka lloj-lloj njerëzish shumë kreativë edhe është mirë që t’i ballafaqojmë aspiratat, idetë, shqetësimet edhe opinionet për njëri – tjetrin. Se këtu unë i ndjeva pak majtas -djathtas po nuk jam i bindur që e kam ndjerë tamam, kështu që do njihemi në të ardhmen. Këto ishin katër vajzat e një hapësire speciale, e një hapësire krijuese, një hapësire që unë personalisht e kam me të dëgjuar, por mora edhe më shumë nxitje për ta njohur, duke e vizituar dhe që iu ftoj të gjithë juve që jeni të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër, qoftë nëpërmjet interesit, qoftë nëpërmjet kuriozitetit me këtë botë që ta vizitoni hapësirën “Destil”, po bëja pak reklamë tani se ju e keni bërë me mbështetje. Pastaj këtu doli e qartë edhe diçka tjetër që djemtë punojnë për vajzat, e qartë kjo. Shumë faleminderit!
Top Channel