Shqipëria është kualifikuar në Europianin e vitit 2024, e cila do të mbahet në Gjermani.

I duhej vetëm një pikë, dhe atë e mori në Kishinau në ndeshjen ndaj Moldavisë. Kombëtarja e mori pikën që i nevojitej falë barazimit me rezultatin 1-1 dhe siguruan për të dytën herë në histori, pjesëmarrjen në finalet e një kampionati europian.

Kuqezinjtë rezervuan kështu vendin e tyre në mesin e kombëtareve pjesëmarrëse në Gjermani verën e vitit 2024.

Sa i takon ndeshjes, moldavët dhanë shkëndijën e parë në minutën e 16-të me Nicolaescun, por Berisha priti mjaft mirë në pozicion.

Tetë minuta më pas erdhi edhe momenti vendimtar për kuqezinjtë, me Taulant Seferin që fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë u paraqit Sokol Cikalleshi që nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë. Sakaq, katër minuta nga fundi, Bajrami tentoi nga distanca por portieri moldav priti në dy kohë.

Fraksioni i dytë nisi me një goditje të Seferit nga distanca, por sulmuesi nuk e gjeti kuadratin. Nga ana tjetër, Nicolaescu provoi një goditje të fortë, por Etrit Berisha priti mjaft mirë dhe largoi topin në këndore.

Në minutat që pasuan, një mundësi e mirë u shfaq për Dakun dhe më pas për Asanin që tentoi nga një goditje dënimi. Megjithatë, në fund, moldavët barazuan me Baboglo, por që nuk prishën festën e Shqipërisë, e cila mori pikën që i duhej për t’u kualifikuar në Euro 2024.

Festa e kuqezinjve shpërtheu në Moldavi, por edhe në vendin tonë, për ngjarjen që ngriti peshë zemrat e shqiptarëve.

Në sheshin “Skënderbej” goli i shënuar nga Cikalleshi u prit me ovacione nga tifozat kuq e zi, të cilët po ndiqnin ndeshjen.

Atmosfera fantastike nuk mungoi as në stadium ku kumboi zëri i tifozëve kuqezi me këngën “Mora fjalë”.

Nga ‘fan zona’ në Moldavi, tifozeria shqiptare krahas thirrjeve “Oh sa mirë me ken shqiptar, o hej, o hej”, nuk ka kursyer as batutat apo ngacmimet ndaj Moldavisë, duke thirrur “O moldave, o hiç fare”.

E premtja e kualifikueseve të “Euro 2024” nuk i buzëqeshi vetëm Shqipërisë. Në fakt janë edhe dy kombëtare që u kualifikuan  në Europian: përveç Anglisë, për të cilën kualifikimi ishte një formalitet i thjeshtë, kualifikohet edhe Danimarka. Ndërkohë Italisë i duhet dhe një pikë në ndeshjen me Ukrainën për biletën “Euro 2024” pas fitores 5-2 me Maqedoninë e Veriut.

FOTO GALERI
2/26

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA