Shahu ka një traditë të hershme në Gjirokastër.
Sporti që i solli sferës kombëtare të paktën 5 shahistë të kategorisë së parë dhe disa kandidatë mjeshtër i ka fillesat në dekadën e parë të shekullit të kaluar, kur klube të mirëfillta të të gjitha moshave funksiononin në mjedise të dedikuara.
Pas një pauze prej më shumë se 3 dekadash, sporti është rikthyer si pjesë e programeve të qendrës kulturore të fëmijëve. Sipas trajnerit të klubit të fëmijëve Armando Çani 20 fëmijë ushtrohen çdo javë në shah ndërsa teknologjia po avantazhon stërvitjen e tyre edhe në shtëpi.
“Janë rreth 20 fëmijë që ushtrohen në shah dhe kanë rezultate të mira. Prej disa vitesh kemi një ambient ku ushtrohemi dhe ekipet e të vegjëlve kanë marrë pjesë edhe në ngjarje kombëtare. Nga prania e vajzave sot mendojmë se së shpejti mund të ngremë edhe ekipin e vajzave”, tha Armando Çani.
Një prej mjeshtërve të shahut që drejtoi jurinë e minikampionatit tha se ngritja e ekipeve të fëmijëve është një shpresë për sportin që si çdo sport kërkon disiplinë, përgatitje mendore dhe fizike.
“Ishte një ngjarje e bukur megjithëse lojërat ishin amatore. Shahistët e vegjël dëshmuan se kanë dëshirë dhe se kanë gjetur një mënyrë tjetër të përdorimit të teknologjisë që i edukon brenda sportit megjithatë teoria dhe regjistrimi i ndeshjeve, literatura dhe tabela fizike kanë vlerë tjetër”, tha Ilia Fidhi.
Fëmijët pjesëmarrës kanë qenë kryesisht djem. Vajzat kanë marrë pjesë jashtë garës me idenë që së shpejti të krijohet edhe ekipi i tyre.
“Sot humba por ishte një përvojë e mirë sepse mësova disa lëvizje të reja. Mbase herën tjetër do fitoj. Pse jo mendoj të praktikohem se më pëlqen. Për momentin luaj në shtëpi me babin por kam qejf të mësoj më shumë.”
“Ishte një lojë pak e vështirë. Luaja për herë të parë me këtë kundërshtar. Fitova por u mundova pak. Luaj edhe në kompjuter por edhe me shokët. Marrim një shah të vogël me vete kur dalim dhe luajmë”.
“Fitova dhe nuk ishte aspak e vështirë. Dua të luaj edhe në të ardhmen se më pëlqen.”
“Sot humba por nuk jam mërzitur. Duhet të punoj pak më gjatë në të ardhmen”, janë shprehur fëmijët.
Kampionati u mbyll me disa kupa arritjesh për shahistët më të mirë, lojën më të bukur e lojën më të shpejtë. Krahas teknologjisë besohet se shtimi i literaturës teorike është një nevojë për të ardhmen e këtij sporti. Me ecurinë aktuale besohet se brezi i parë i të rriturve që do të konkurrojnë në evente kombëtare e ndërkombëtare mund të përgatitet brenda 5-vjeçarit të ardhshëm.
Top Channel