Një nga rreziqet më të mëdha të Inteligjencës Artificiale, siç paralajmëronte që në vitet 1980 shkrimtari dhe pedagogu i njohur Isac Asimov, është kërcënimi ndaj vendeve të punës dhe kjo nuk duket një e ardhme dhe aq e largët tashmë.

Banka Qendrore e Koresë së Jugut publikoi një studim i cili tregonte se gati katër milionë vende pune në këtë vend, janë në rrezik që të zëvendësohen prej inteligjencës artificiale në dy dekadat e ardhshme. Avancimi i shpejtë i AI-it ka nxitur shqetësim global për humbje të vendeve të punës, rritje të sulmeve kibernetike, dhe humbje të kontrollit të sistemeve ndonëse ajo vetë është krijim i dorës së njeriut. Në mesin e vendeve të punës që rrezikojnë zëvendësimin përfshijnë mjekët, avokatët, kontabilistët dhe kimistët.

“Punonjësit me paga të larta dhe edukim akademik janë më të ekspozuarit ndaj inteligjencës artificiale dhe rrezikut të zëvendësimit”, theksohet në studim. Arsyeja, siç shpjegohet aty, është se inteligjenca artificiale mund t’i përfundojë shpejt detyrat analitike dhe ato kognitive. Punët më pak të rrezikuara nga ky avancim i teknologjisë janë ato në fushat e fesë, të shërbimeve të ushqimit dhe ligjërimit.

Vetëm pak ditë më parë, po në Korenë e Jugut, një 40-vjeçar u shtyp për vdekje nga një robot i cili nuk arriti ta dallonte atë nga kutitë e ushqimit që po trajtonte. Punonjësi ishte duke inspektuar makinerinë, kur krahu robotik, duke e ngatërruar me një kuti perimesh, e shtyu në rripin transportues, duke i shtypur fytyrën dhe gjoksin. Burri u dërgua në spital por më vonë vdiq.

Top Channel