Analisti Lorenc Vangjeli foli në “Top Story” për kërcënimet e Greqisë për situatën e tensionuar pas arrestimit të Fredi Belerit, të cilat i konsideron tentativa presioni të gabuara.
Sipas tij janë mijëra persona me dy shtetësi, shqiptare dhe greke, të cilët për zgjedhje kanë zbarkuar në jug të Shqipërisë për të votuar.
Ajo që theksoi analisti është financimi që është bërë për të sjellë emigrantët në vendin tonë, duke theksuar se dikush ka financuar dhe i ka bindur ata për të ushtruar të drejtën e votimit.
“Mënyra se si kërkohet dhe tentohet të bëhet presion mbi këtë gjë është e gabuar. As Shqipëria nuk është ajo e djeshmja, as Greqia. Janë disa dhjetëra mijëra qytetarë që janë me dy pasaporta mes dy vendeve. Këta janë votues, kështu ajo kartë presion për të parandaluar atë që nuk munden dot, do të derdhet patjetër në det. Pavarësisht dredhave, Shqipëria e ka destinacionin në Bruksel.
Mbi këtë të sotme, konflikt, le ta shohim nesër. Unë besoj që kryeministri grek luan me të tashmen, me emocionin, duke ditur që nuk ka mekanizma. Për një moment le të vendosemi në të ardhmen dhe do të qeshim me të tashmen. Kanë qenë disa dhjetëra qytetarë që kanë ardhur me autobusë për të votuar. Askush nuk pyeti se kush i financoi ardhjet e tyre.
Nuk ka asnjë shqiptar ose grek që mund të fshehë pas vetes të vërtetën. Si erdhën këta shqiptarë me pasaportë shqiptare dhe greke, për të votuar. Këtu nuk ka as të pafajshëm as fajtorë, janë kaq të lidhur me njëri-tjetrin. Rama e legjitimoi si kundërshtar Belerin, javën e fundit të zgjedhjeve”, deklaroi analisti Lorenc Vangjeli.
Top Channel