Vrasja e babë e bir në Elbasan/ Burg përjetë për Ardjan e Florenc Çapjan, dënohen dhe katër të akuzuarit e tjerë

15/11/2023 15:51

Burg përjetë për Ardjan Çapjan vendosi Gjykata e Posaçme e Apelit, që dënoi dhe pesë të akuzuarit e tjerë për vrasjen e babë e birë, Nezar e Gentian Beqirit më vitin 2012 në Elbasan.

Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke caktuar dënim të përjetshëm për Ardjan Capjan, Florenc Capjan dhe Olsi Lekun. Ata u shpallën fajtorë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

25 vite heqje lirie u vendos për Etjen Canin dhe Klajdi Dokolin. Bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg.

Të gjithë këta janë pjesë e një bande të njohur në Elbasan dhe akuzohen për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezir Beqiri.

Krimi që tronditi vendin gjatë 2012, për shkak se dy viktimat u gjetën të pajetë ndonëse duhet të ruheshin nga policia mbeti i pazbuluar për një kohë të gjatë. Prokuroria e Elbasanit ra në gjurmë të Ervis Bardhit, që më pas vendosi të flasë pasi ai u tradhtua nga gjurmë biologjike që kishin mbetur në një automjet.

Si ndodhi vrasja e dyfishtë në vitin 2012 në Elbasan:

Në gusht të vitit 2012, disa persona iu drejtuan apartamentit të Beqirit, në lagjen “Sporti i Vjetër”, dhe policëve që qëndronin te dera iu prezantuan si shokë të Beqirit. Derën e shtëpisë e ka hapur pikërisht i ati i tij, ndërsa ata sapo u futën brenda qëlluan për vdekje me tre plumba në kokë 35-vjeçarin Gentin Beqiraj, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij, pasi ishte i paralizuar dhe në arrest shtëpie për një tjetër vepër penale, ndërsa babai i tij u rrah barbarisht me sende të forta dhe u godit me thika, duke iu thyer 6 brinjë dhe plasur hemorragjia në tru dhe në mëlçi. Që nga koha e implikimit dhe e vënies nën akuzë për pjesëmarrje në vrasjen e Çapjes, Gentian Beqiraj kishte ndryshuar edhe identitet dhe njihej si Ardian Metaj. Policia e Elbasanit arrestoi së pari dy policët që përgjigjeshin për ruajtjen e tij.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2017, pas një konflikti mes ish-shefit të Qarkullimit Rrugor të Elbasanit, Fadil Mema dhe Sokol Çapjas, mbeti i vrarë ky i fundit. Policia identifikoi si autorë nipat e oficerit të policisë.

Nuk do të vononte reagimi, kur në maj të 2006 vritet kunati i Memës, Ardian Ibrahimi. Pas një periudhe qetësie të rremë, kalvari i vrasjeve rihapet në vitin 2012 me Gentian Beqirin, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjas dhe që ishte lënë në arrest shtëpie nga gjykata.

Dhe pas kësaj ngjarjeje tentohet të vritet edhe Fadil Mema, i cili mbeti i plagosur. Ngjarjet do të zhvendoseshin në Itali, ku në mars të vitit 2015 ekzekutohet ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, Fadil Mema, në qytetin e Torinos.

Ish-polici, teksa kthehej në shtëpi, u qëllua 14 herë me armë zjarri më 13 mars 2015. 7 plumba e goditën në trup duke i marrë menjëherë jetën Fadil Memës.

Ndërsa një vit më pas, në një ambient ku qëndronin familjarë të fisit Çapja dhe miq të tyre ndodhi një atentat i rëndë që njihet si “masakra e Elbasanit”, ku dy persona të armatosur hapën zjarr duke lënë të vrarë 3 persona, mes të cilëve edhe Agron Çapjan. Ndërsa në prill të 2016-s ekzekutohet në një hotel në Tiranë shtetasi Dritan Sheme, i afërm i Fadil Memës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA