Ushtria izraelite hyri mëngjesin e sotëm me trupa e autoblinda në spitalin më të madh të Gazës, Al Shifa.
Vendimi, sipas një zëdhënësi të saj, u mor vetëm pasi u mësua saktësisht se çfarë kishte atje. Sipas Tel Avivit, kompleksi spitalor mund të jetë “zemra që rreh” e grupit militant të cilësuar organizatë terroriste nga SHBA-ja e BE-ja.
“Mbi bazën e të dhënave të inteligjencës, ushtria izraelite po kryen një operacion të përpiktë kundër Hamasit në një zonë të caktuar” të objektit, i cili ka qenë skenë e një përplasjeje me militantët. I ftojmë të gjithë terroristët e Hamasit të pranishëm në këtë strukturë që të ulin armët e të dorëzohen”, thuhet në deklaratën e IDF-së.
Autoritetet izraelite pretendojnë se militantët kanë kanë përdorur objektin për kryerjen e operacioneve të tyre të fshehta ushtarake. Por, duke marrë parasysh praninë e qindra pacientëve dhe anëtarë të personelit mjekësor brenda, autoritetet izraelite ishin frenuar tani nga hyrja në spital. Në javët e fundit, forcat izraelite kanë “paralajmëruar publikisht herë pas here se përdorimi i vazhdueshëm për arsye ushtarake i Spitalit Shifa nga Hamasi rrezikon statusin e tij të mbrojtur, sipas ligjit ndërkombëtar”.
“Dje, ushtria izraelite u ka përcjellë autoriteteve përkatëse në Rripin e Gazës edhe një herë se të gjitha aktivitetet ushtarake brenda spitalit duhet të ndërpriten brenda 12 orëve. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi”, vazhdon deklarata e IDF-së. Hamasi i mohon akuzat e Izraelit se po përdor spitalin për të fshehur luftëtarët e tij, dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbrojë pacientët.
“Brenda kompleksit të Shifasë ndodhen 1500 pjesëtarë stafi dhe rreth 7000 të shpërngulur. I bëjmë thirrje të gjithë vendeve të ndërmarrin veprime urgjente per mbrojtjen e pacientëve që janë ende brenda Shifasë”, shkroi në rrjetin Telegram zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, Ashraf al Qudra.
“Jemi gati t`i bindemi të gjitha udhëzimeve ndërkombëtare për të garantuar natyrën e punës tonë si mjekë”, shtoi ai. Operacioni ndaj spitalit nisi pasi ushtria e Izraelit mo0ri nën kontroll një zone më të gjerë të Gazës veriore të martën, duke përfshirë ndërtesën e parlamentit të territorit dhe atë të stacionit të policisë, që kanë një vlerë të lartë simbolike në përpjekjen e vendit hebre për të shtypur grupin militant të Hamasit. Edhe pse organizata militante vetë pretendon të kundërtën, ministri izraelit i mbropjtjes, Yoav Gallant deklaroi se hamasi e ka “humbur kontrollin” mbi Gazën veriore.
Top Channel