“Nuk është kollaj me kenë djali i babës mirë”, është një shprehje që përdoret shpesh në Veriun e Shqipërisë.
Për Bardh Spahinë do të ishte një postulat që do ti sillte në momente të caktuara edhe pengime në rrugën e politikës. Nuk është rastësi referenca ndaj kësaj shprehje që në veri të vendit ka peshë shumë të madhe por sepse Ali Spahia, një ndër kirurgët më në zë të kohës së diktaturës jetoi internimin në Dukagjin për gjashtë vjet.
Kishte vuajtur më parë disa vite burg si një ndër intelektualët e survejuar e përndjekur nga regjimi për pikëpamjet e tij. Ali Spahia do të hynte në sallën e kuvendit të Shqipërisë në parlamentin e parë pluralist për të spikatur ndër drejtues të tjerë të PD-së si politikan aktiv. Ai drejtoi grupin parlamentar për pesë vite në një kohë të vrullshme ngjarjesh politike.
I biri Bardh Spahia, në atë kohë nisi të ndjek rrugën e babait në profesion në studimet për mjek kirurg. Njëherësh ishte pranë babait në çdo ngjarje në politikë. Bashkë-udhëtimi me hijen e babait do të ishte edhe pengesë qoftë edhe për shkak të kompleksit në raport me kontributit dhe emrin që ka lënë i ati. Aq më tepër kur në mes hyn dhe edhe një amanet për tu mbajtur.
“Në Shkodër kanë një shprehje të bukur, “është frikë të jesh djali e babait të mirë”, që thotë shumë gjëra. Është një shprehje që e përdor veriu i Shqipërisë dhe tregon peshën që mban një trashëgimtar i cili në kohë të ndryshme është vënë në një skenë apo altar për tu gjykuar publikisht”, u shpreh Bardh Spahia, ish-deputet.
Një rrugëtim politik i qetë por herë pas here me shenja të rëndësishme protagonizmi, do të kulmonin në një prej momenteve më të rëndësishme për Bardh Spahinë. Koha kur i duhej të vendoste për të kandiduar për Bashkinë Shkodër në 6 mars 2022. Ai hyri në këtë garë me shumë faktor që nuk e favorizonin fitoren:
Opozita e shkatërruar me liderin e shpallur “nongrata” nga SHBA, pjesa tjetër e partisë që i qasej si rival në këto zgjedhje, fuqia e pushtetit për të investuar gjithçka vetëm që të fitohej Shkodra…, etj.
Ishte pikërisht ky moment rrëfen Bardh Spahia, kur iu referua babait të tij, fuqisë për të marrë vendime të rëndësishme edhe pse do të ngjitej një skenë me aktorë agresivë, të pamëshirshëm që nuk favorizonin shumë një finale të suksesshme.
Top Channel