Një 36-vjeçar është arrestuar pasi bleu një automjet të trafikuar në Shqipëri nga dy persona, me qëllim për ta shitur për pjesë këmbimi.
Policia e Tiranës në bashkëpunim me Forcat Shqiponja, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, ka bërë arrestimin e shtetasit F.M., si dhe janë shpallur në kërkim T. L., 39 vjeç, banues në Kuçovë, dhe C. F., 41 vjeç, banues në Rumani.
Personat në kërkim i shitën 36-vjeçarit, kundrejt shumës 9000 euro, automjetin tip “BMW” i cili dyshohet se është vjedhur në Britaninë e Madhe, për pjesë këmbimi.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin tip “BMW”. Ndërkaq, vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel