Goditja e tij më e fundit: Thyerja e kodit të sigurisë së Bankës Komerciale dhe Industriale të Kinës. Muajt e fundit ndërkohë, ka hakuar edhe disa prej organizatave më të mëdha botërore, duke i vjedhur dhe duke publikuar të dhënat e tyre të ndjeshme, nëse ato nuk paguanin shpërblim.

Emri i tij është Lockbit, dhe tani bota po e dëgjon fort e qartë. Lockbit u zbulua në vitin 2020 kur softueri i tij u gjet në forumet e krimeve kibernetike në gjuhën ruse, duke i nxitur disa analistë të sigurisë të besonin se grupi kriminal e ka bazën në Rusi.  Grupi nuk ka shfaqur përkrahje për asnjë qeveri ndërkohë, e askush nuk ka pohuar deri më tani se ai  mund t’i përkasë ndonjë shteti apo kombi.

“Ne ndodhemi në Holandë, jemi plotësisht jopolitik dhe na interesojnë vetëm paratë”, ka shkruar vetë ai në dark Web. Brenda vetëm tre vitesh, ky grup është kthyer në kërcënimin më të madh ransomeware në botë, sipas zyrtarëve amerikanë.

Telashet më të mëdha, grupi i ka shkaktuar në SHBA, duke i goditur më shumë se 1.700 organizata amerikane në pothuajse çdo industri, nga shërbimet financiare dhe ushqimore te shkollat dhe departamentet e transportit dhe ato qeveritare. Në mesin e viktimave më të fundit është gjiganti i mbrojtjes dhe hapësirës ajrore, Boeing, të cilit të premten i publikoi një serë të dhënash të brendshme që i kishte përftuar përmes thyerjes së sistemeve të sigurisë së kësaj kompanie.

Në fillim të këtij viti, ai i hakoi shërbimet financiare-tregtare të grupit ION, duke shkaktuar pengesa të mëdha për konsumatorët, përfshirë në disa prej bankave më të mëdha botërore.Grupi kriminal kibernetik e infekton sistemin e organizatës viktimë me një ransomware – pra një softuer dashakeq i cili i kodon të dhënat – dhe pastaj e detyron organizatën në fjalë të paguajë në mënyrë që t’i zhbllokojë sistemet e të mos ia bëjë bpulike të dhënat sensitive. Pagesën e kërkojnë zakonisht në formë të kriptomonedhave, për shkak se është më e vështirë ta gjurmosh dhe sepse marrësi, kështu mbetet anonim.

SHBA-ja dhe zyrtarë të tjerë në një aleancë prej 40 vendesh janë duke u përpjekur ta ndalin vrullin e ransomëare-ve të tilla duke këmbyer të dhënat të inteligjencës mes vete për adresat ku kriminelët e tillë i ruajnë kriptomonedhat e tyre.

Top Channel