Në shkurt të këtij viti ligjvënësit spanjollë votuan ligjin që u jep leje mjekësore me pagesë vajzave dhe grave që vuajnë nga dhimbje të forta të menstruacioneve, duke u bërë vendi i parë evropian që avancon një legjislacion të tillë.

Ishte e papritur dje në Komisionin e Ekonomisë, teksa diskutohej buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë, propozimi i deputetit Erion Braçe ku kërkonte që “vajzave dhe grave në Shqipëri t’u njihet e drejta për të marrë raport gjatë ciklit menstrual, raport që duhet të paguhet nga buxheti i shtetit“. Ai propozoi gjithashtu që paketa higjieno-sanitare për ditët e ciklit të përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar.

A ka mundësi që grave dhe vajzave t’u njihet periudha e ciklit si periudhë sëmundjeje dhe e paguar? Raporti të jetë i paguar nga buxheti i shtetit, sepse realisht po e konsiderojnë sëmundje lart e poshtë dhe është mirë që një iniciativë të tillë, për të cilën unë mendoj se nuk kushton shumë, por që duhet kalkuluar, të përfshihet në iniciativat e Ministrisë së Shëndetësisë. E dyta, e cila është po kaq e rëndësishme: A ka mundësi që paketën higjieno-sanitare të grave dhe vajzave pikërisht për ciklin ta përjashtojmë nga tatimi mbi vlerën e shtuar? Sepse nuk i shton asgjë buxhetit të shtetit. Nuk po kërkoj atë që po ndodh në Europë që ta paguajë qeveria këtë gjë, një herë në muaj, por minimumi po kërkoj është që të përjashtohet nga tatimi mbi vlerën e shtuar.”- propozoi dje Braçe.

Po çfarë thonë gjinekologët?

Mjekja obstetre-gjinekologe, Enriketa Kroi thotë për Top Channel se cikli menstrual nuk mund të cilësohet sëmundje dhe sistemi ynë ka gjëra më të rëndësishme për të rregulluar, që kërkojnë ndërhyrje emergjente.

Cikli menstrual nuk është sëmundje. Në një pjesë të femrave, sidomos te vajzat e reja dhe të cilat nuk kanë kryer lindje, shpesh është i dhimbshëm. Por edhe nga ky grup, pjesa dominuese e tyre trajtohet me qetësues dhe me medikamente. Aktualisht kjo dhimbje është vetëm ditën e parë të ciklit. Rastet kur cikli sjell marrje mendsh, të fikët apo dhimbje të forta barku dhe shpine dhe luhatje tensioni janë shumë rralla. Së dyti, cikli menstrual nuk është gjithnjë i rregullt. Me filozofinë e sëmundjes, do duhej të merrnin leje edhe femrat të cilat kanë dhimbje koke kronike si migrena etj, që shpesh vjen 2-3 ditë para ciklit menstrual. Ka shumë gjera të tjera për të rregulluar përgjithësisht sistemi”- shprehet mjekja për Tch.

Leja menstruale aplikohet vetëm në një numër të vogël vendesh, përfshirë Japoninë, Tajvanin, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Zambinë, ndërsa në gusht të vitit 2018, Skocia ishte shteti i parë në botë që vendosi të ofrojë falas produkte të higjienës vetjake për të gjithë nxënësit në shkolla fillore, gjimnaze dhe universitete.

Por ka disa kompani në mbarë botën që aplikojnë “leje menstruale”. Punonjëset të cilat përjetojnë simptoma të dhimbshme menstruale ose të menopauzës, u ofrohet një numër i caktuar ditësh pushimi me pagesë çdo vit, përveç pushimeve me pagesë. Pushimi menstrual ka ekzistuar në forma të ndryshme në mbarë botën për të paktën një shekull: Bashkimi Sovjetik prezantoi një politikë kombëtare në 1922, Japonia në 1947 dhe Indonezia në 1948. Por është ende e rrallë në shumë ekonomi të mëdha globale, duke përfshirë SHBA-në. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë kompani në mbarë botën kanë filluar të përkrahin idenë e lejes menstruale.  Punonjëset do të jenë më të lumtura dhe më produktive në punë si rezultat, dhe do ta kenë më të lehtë të qëndrojnë në punë. Megjithatë, disa nga kritikët e saj kanë argumentuar se përfitimi është i padrejtë ose se mund të stigmatizojë më tej njerëzit me perioda.

Ju si mendoni, a duhet aplikuar leja menstruale në Shqipëri? 

Kleida Muka/TCH

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA