Opera “Attila” e Verdit/ Do të shfaqet për herë të parë në Shqipëri

13/11/2023 20:22

Vjen për herë të parë në Shqipëri, opera “Attila” e Giuseppe Verdi-t.

Kjo është një nga operat e fillimeve të karrierës së kompozitorit Giuseppe Verdi, por një nga më të vështirat sa i takon vënies në skenë dhe interpretimit.

Është një histori e vërtetë, është një histori që flet për realitetin dhe që tregon se memoria humane është ajo që ndryshon njeriun dhe e vlerëson atë. Është bërë një punë e jashtëzakonshme nga solistët. Është një nga operat më të panjohura të Verdit, ajo që quhet një Verdi i ri, por që për të ri, ska vërtet asgjë”, tha Abigeila Voshtina, drejtore e TKOB.

Tashmë, artistët e huaj nuk janë më një risi për TKOB. Edhe në këtë shfaqje do të jenë 3 solistë të huaj.

Në rolin e Attilës do të jetë Petar Naydenov, në rolin e Forestos do të rikthehet në TKOB Amadi Lagha, i cili ka qenë edhe te Aida. Në rolin e Ezio do të jetë Evez Abdulla.

“Është  një vepër e cila vjen ndryshe, vjen e zhveshur nga historiku i saj, por jo për të ulur vlerat e saj, por përkundrazi, për të treguar se lufta që njerëzit bëjnë për  pushtet, është një luftë të cilën ne vazhdojmë e shohim edhe sot. Prandaj ky Attila vjen ndoshta në momentin e duhur”, tha regjisorja Ada Gurra.

“Attila” do të vijë përgjatë 4 netëve, në datat 15, 16, 18, dhe 19 nëntor.

Top Channel