Uzbekistan/ Adoleshenti dënohet me burg për fyerje ndaj presidentit Mirziyoev

12/11/2023 11:50

Një 19-vjeçar është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim nga një gjykatë rajonale në Samarkand të Uzbekistanit, i akuzuar për koment fyes ndaj presidentit të vendit, Shavkat Mirziyoev, në rrjetet sociale.

Dilshod Iskandarov u akuzua se e kishte fyer presidentin duke komentuar në një video të familjes presidenciale, anëtarë të së cilës kanë poste politike dhe në fushën e biznesit, të postuar në rrjetin social Instagram.

Ai u dënua më 26 tetor për “fyerje apo përgojim të presidentit në publik”.

Mirziyoev me familje.
Mirziyoev me familje

Iskandarov është më i fundit nga së paku tre uzbekë që janë dënuar në vitin e fundit në bazë të klauzolës penale për fyerje apo përgojim të presidentit.

Ai mendohet ta ketë fshirë komentin në Instagram, pasi ishte paralajmëruar nga të afërmit e tij për rrezikun e mundshëm.

Mirziyoev  fitoi një mandat të ri shtatëvjeçar në zgjedhjet në korrik. Në gusht, Mirziyoev, emëroi vajzën e vet, Saida Mirziyoev, si sekretare të presidentit.

Saida, 38 vjeçe, u bë personi i dytë në administratën presidenciale pas babait të saj Shavkat Mirziyoev.

Pozita e saj si sekretare është e barabartë me pozitën e shefit të administratës së presidencës.

Emërimi i të afërmve në pozita shtetërore me ndikim është gjë e zakonshme në vendet autoritare të Azisë Qendrore. Në Turkmenistan, presidenti Serdar Berdymukhammedov pasoi babanë e tij ,Gurbanguly Berdymukhammedov./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA