Elsa Lila tregon për pasionet e saj: Jam bërë zdrukthëtare shumë e mirë, kisha dëshirë të punoja me duar

11/11/2023 09:15

Elsa Lila ka ardhur me një rrëfim ndryshe këtë herë në podcastin me kryeministrin Rama.

Ajo ka folur gjatë për jetën, eksperiencat por edhe pasionet. Përveçse një këngëtare, ajo ka eksploruar edhe në fusha të tjera. Elsa Lila tregon se është bërë një zdrukthëtare shumë e mirë se krijon objekte druri.

Elsa Lila: Jo, ishte një qartësim. E di çfarë kam mësuar të bëj? Kam mësuar të punoj drurin. Jam bërë zdrukthëtare shumë e mirë. Erdhi një moment që kisha dëshirë të punoja me duar. Të përdorja duart e mia. Ti e di sepse me duar krijon dhe e di sesa e nevojshme të krijosh me duart e tua nga hiçi, diçka. Apo nga një material ta transformosh. Kështu që më lindi pasioni i punimit të drurit dhe fillova të ndërtoja objekte prej druri, vazhdoj ta bëj. Është një art.

Kryeministri Edi Rama: Po ku e bën, në shtëpi apo ke një studio?

Elsa Lila: E bej në shtëpi sepse kam një hapësirë shumë të madhe dhe një tarracë shumë të madhe që më lejon që unë të punoj. Për një periudhë kam pasur në Romë dhe një një zdrukthëtar me të cilin bashkëpunoja që të mësoja sesi bëhej puna. Mbi të gjitha në trajtimin e drurit, se çfarë duhet ti vesh sipër, shtresa e parë, shtresa e dytë etj, që ajo pastaj të jetojë. Kështu që, jam marrë me zdrukthëtari dhe me botanikë, me lule, me bimë. Më lindi pasioni i bimëve. Fillova të rris bimë, në tarracën time kam rreth 150 bimë që i kam mbjellë vetë nga fillimi, i vë muzikë, i vë Vivaldin kryesisht, atyre iu pëlqen shumë. E sheh menjëherë sesi e ndryshojnë fytyrën kur ti i vë muzikë. Është e gjitha një lloj forme për të mbajtur në kontakt me natyrën, me energjinë e natyrës në një qytet aq të madh sa Roma dhe kaotik dhe i zhurmshëm, që ta heq shpirtin, ta heq kontaktin me të vërtetën, me realitetin. Kështu që, midis përpunimit të drurit dhe bimëve, rritjes së bimëve është një lloj mënyre për t’u mbajtur fort e lidhur me realitetin.

Top Channel