Kush është Dritan Rexhepi, vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri që u bë “mbreti” shqiptar i trafikut të drogës

10/11/2023 11:31

Dritan Rexhepi, shqiptari që dyshohet se është ‘koka’ e rrjetit kombëtar të trafikimit të kokainës në Evropë u arrestua sot në Stamboll.

Shqiptari me i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve. Emri i tij lidhet edhe me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz në janar të 2020, pasi vëllai i tij Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine, dhe që i përkiste pikërisht Dritan Rexhepit.

Si nisi karriera kriminale

Në vitin 1999, kur ishte ende adoleshent (19 vjeç), ai qëlloi me breshëri Kallashnikovi policët në një lokal. Dyshohet se ai ishte paguar për atentatin dhe plumbat e tij vranë edhe dikë tjetër. Policia e arrestoi Rexhepin vetëm në janar 2006 në Tiranë, në një prej hoteleve më luksoze të kryeqytetit me një armë tip pistoletë pa leje. Rexhepi u transferua në ambientet e Drejtorisë së Policisë Durrës, që kishte në juridiksion zonën e Krujës. Po atë mbrëmje, Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje pasi hapi me gisht një bravë me defekt dhe i tha një roje që policia kishte mbaruar punë me të. Gjykata më vonë e dënoi në mungesë për vrasje. Ky ishte i pari nga tri arratisjet nga burgu pasi policia evropiane e ndoqi në të gjithë kontinentin për trafik droge dhe akuza të tjera.

“Mjeshtri” i arratisjeve nga burgu

Rexhepi do të arrestohej në vitin 2008 në Holandë për llogari të drejtësisë italiane në lidhje me një dënim për trafik droge. Në vitin 2011 ai arratiset edhe nga burgu i Voghera-s në Itali pasi sharroi hekurat e qelisë dhe u arratis.
Pas disa muajsh u arrestua në Spanjë si anëtar i një bande të dyshuar për grabitjen e një banke në Barcelonë. Ai nuk u mbajt shumë në qeli atje, por autoritete spanjolle vendosën ta ekstradojnë në Belgjikë ku kërkohej për disa krime të rënda. Rexhepi do të arratisej sërish nga burgu i Antverpit duke u ngjitur mbi një mur.
Herën tjetër që policia e kapi ai ishte në Ekuador në qershor 2014, në posedim të më shumë se 272 kg kokainë, sipas Interpolit, organizatës ndërkombëtare të policisë. Edhe pse i burgosur, Rexhepi e drejtonte trafikun e kokainës njësoj sikur të ishte në liri nga qelia, përmes një telefoni. Ishte aleat me një trafikant droge nga Ekuadori me lidhje me kartele të fuqishme në Kolumbi dhe Meksikë. Kokaina dërgohej përtej Atlantikut me anije me kontejnerë, kryesisht në portet e Holandës.

Dritan Rexhepi

Ndërkohë që ishte në burg në Ekuador në nëntor 2021 kërkoi para lirinë, e njohur si një regjim gjysmë i hapur. Kjo e drejtë, e cila i ishte mohuar në raste të mëparshme, u pranua këtë herë. Sipas kësaj të drejtë ai duhej të qëndronte në Ekuador deri më 26 qershor të vitit 2027, kur i përfundon dënimi për trafik droge, por duke e vuajtur dënimin në liri. Rexhepi, i cili njihet edhe me emrat Lulëzim Murataj ose Edmir Kraja, duhej të paraqitej çdo 15 ditë përpara njësisë së riintegrimit social në Guayaquil. Rexhepi u favorizua me regjimin gjysmë të hapur pasi kishte kryer të paktën dy të pestat e dënimit. Gjithashtu, në datën 4 nëntor 2021, përmendet se kapoja shqiptare “ka një sjellje shumë të mirë”, përveç kësaj nuk regjistron tentativë arratisjeje, po ashtu ka edhe një raport pune. Rexhepi kishte siguruar autoritetet se do të jetonte në një apartament në Central Park të Samborondón, 14 kilometra nga Guayaquil. Në këtë kompleks banesash private, një apartament prej 125 m2 mund të kushtojë nga 165 000 USD. Mirëpo, siç thuhet në raport, më 10 shkurt 2022, Rexhepit i është autorizuar ndërrimi i adresës, por adresa e re nuk është e shënuar. A ishte “zhdukur” sërish.

Krijoi “markën” e tij në biznesin e trafikut të kokainës

Rexhepi kishte nën urdhra të drejtpërdrejtë një numër shqiptarësh në Ekuador, Holandë, Itali dhe Shqipëri dhe partnerë biznesi në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, të cilët kontrollonin kanalet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë kontinentin. Ndërsa grupi i Rexhepit u zgjerua, ai kërkoi të dallohej nga grupet që operonin në tregun e trafikut ndërkombëtar.
Le të dalim në treg me emrin tonë”, i shkruante koordinatori i grupit në Itali Rexhepit në mars 2016. “Marka jonë ende nuk njihet”. Rexhepi ia ktheu, duke propozuar emrin Bello. Tullat me kokainë të grupit u vulosën shpejt me këtë markë. Rexhepi e drejtoi kompaninë Bello me karizëm dhe dhunë. Ai urdhëroi sulme dhe të paktën dy vrasje, një në Ekuador dhe një në Shqipëri, sipas policisë italiane. Dritan Rexhepi akuzohet se është kreu i një grupi të fuqishëm të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine në Evropë.

Dritan Rexhepi i arrestuar sot në Stamboll

“Dokumentet e ndryshme në vendet ku kërkohet e identifikojnë atë si “mbret të padiskutueshëm” me akses në “sasi të pafundme kokaine” nga Kompania Bello , një kartel i përbërë nga 14 banda kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës dhe që, sipas autoriteteve, ai operon që nga viti 2014 në Ekuador, Holandë, Belgjikë, Shqipëri dhe Itali”, shkruante në nëntor të 2021-shit The Wall Street Journal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA