Gaza, pauzë 4-orëshe luftimesh? Paralajmërohet SHBA për zemërim në botën arabe!

10/11/2023 11:21

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Izraeli do të nisë zbatimin e pauzave humanitare katërorëshe gjatë sulmeve ndaj Hamasit në veri të Gazës, kërkesë kjo që presidenti amerikan Joe Biden i kishte drejtuar kryeministrit të shtetit hebre, Beniamin Netanyahu.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby u shpreh se izraelitët ishin zotuar t’i shpallnin ato të paktën tre orë përpara hyrjes së tyre në fuqi. Izraeli pohoi se po hapte gjithashtu një korridor të dytë për civilët që të largoheshin nga zonat që janë objektiv aktual i fushatës ushtarake kundër Hamasit, përmes një rruge bregdetare që lidhet me autostradën kryesore veri-jug në Rripin e Gazës.

Biden rrëfeu se kërkesa e tij në fakt ishte për një pauzë më të gjatë se tre ditë” gjatë negociatave për lirimin e disa pengjeve të mbajtura nga Hamasi, megjithëse ai tha se “nuk kishte asnjë mundësi” për një armëpushim të përgjithshëm.

I pyetur nëse ai ishte i zemëruar me Netanyahun për vonesat në fillimin e pauzave humanitare, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se : “U desh pak më shumë kohë nga sa shpresoja”.

Ushtria izraelite njoftoi sakaq se ka vrarë tre drejtues të Hamasit në Jabalia. Xhihadi Islamik ndërkohë ka publikuar një video të dy pengjeve, një e moshuar dhe një fëmijë për të cilët thotë se do t`i lirojë për arsye humanitare në momentin që mbështeten masat e pretenduara prej tij. Pengjet janë vënë të lexojnë një tekst, në të cilin i vishet Netaniahut përgjegjësia për të gjithë situatën e krijuar.

Vetë ky i fundit tentoi të sqaronte se Izraeli nuk po synon as ta pushtojë e as ta qeverisë Gazën  pas luftës së tij me Hamasin. Ndërkohë, po tel Avivi vetë njoftoi se vetëm të enjten, mbi 80 mijë vetë u larguan nga Gaza veriore përmes një korridori të sigurtë.

Administrata Biden sipas CNN, është paralajmëruar privatisht se në botën arabe po rritet zemërimi kundër SHBA-së. “Fushata shkatërrimtare e Izraelit në Gaza po bën që të humbasim mbështetjen e publikut arab për një gjeneratë”, thuhet në kabllogramet e disa diplomatëve amerikanë. Vetëm gjatë ditës së djeshme, forcat amerikane u kthyen në shënjestrën e tre sulmeve në Irak, nga të cilat, për çdo rast, nuk pati viktima.

Top Channel