Shqipëria në Forumin e Paqes në Paris/ Rama: Jemi të shqetësuar për viktimat dhe vuajtjet në Gaza

09/11/2023 16:27

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku liderët botërorë do të diskutojnë për konfliktin në Gaza.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Rama shkruan se Shqipëria qëndron e palëkundur me Izraelin kundër Hamasit, por “jemi shumë të shqetësuar nga shkatërrimet, viktimat civile dhe vuajtjet në Gaza”.

Nesër më datë 10 nëntor, do t’i bashkohem udhëheqësve të tjerë botërorë në Paris për të diskutuar mënyrat se si mund të ndihmohet popullsia civile dhe me shpresë se mund t’i jepet fund konfliktit në Gaza. Si një anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por më e rëndësishme akoma si një vend multi-fetar paqësor dhe paqedashës, Shqipëria është tejet e shqetësuar për konfliktin në vazhdim dhe vuajtjet e tejzgjatura të Gazës“, shkruan kryeministri.

Në Paris do të theksoj se është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se të dalë jashtë kontrollit. Ndërkohë që Izraeli ka të drejtën e padiskutueshme të vetëmbrojtjes, ai duhet ta bëjë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Tejzgjatja e këtij konflikti vetëm ushqen ambiciet e Hamasit për kaos dhe një konflikt më të gjerë, shpjegon Rama.

Një ndërprerje e negocuar e armiqësisë aktive është e domosdoshme. Në Paris, do t’i kërkoj mikpritësit tonë, Presidentit Macron të Francës, mbështetjen e tij për t’u angazhuar me udhëheqës të tjerë për sa më poshtë:

Në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm nga Izraeli, Lidhja Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi.

Sipas kryeministrit, ripushtimi i Gazës është i papranueshëm. Me lirimin e pengjeve, Izraeli duhet të tërheqë të gjithë forcat nga Gaza.

Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të asnjë të ardhme politike për Hamasin. Nën mandatin e OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Lidhja Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar rindërtimin e nevojshëm dhe kalimin e përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi tek Autoriteti Palestinez. Shqipëria është e gatshme të bashkë-sponsorizojë rezolutën e nevojshme të Këshillit të Sigurisë të OKB-së për sa më lart.

Me ndërprerjen e të gjithave luftimeve, komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet për organizimin e një konference ndërkombëtare donatorësh për të financuar rindërtimin e Gazës.

Top Channel