Ngjarja e braktisjes së foshnjës nga nëna, në bodrumin e një pallati në Tiranë, ka rikthyer në vëmendje e të gjithëve rëndësinë e dy institucioneve bazë të shoqërisë, që janë martesa dhe familja.
“Për fat të keq në shoqërinë shqiptare shumë martesa po bëhen me mendjelehtësi, dhe shumë divorce, po kështu, po bëhen me mendjelehtësi. Mirëpo kostot në çdo rast janë shumë të mëdha, për prindërit, për fëmijët, për shoqërinë gjithashtu. Padiskutim që rrjetet sociale dhe mundësitë e komunikimit, liberalizimi i seksualitetit, i kanë krijuar kushtet për këtë lloj mendjelehtësie apo erotomanie, që ka filluar të përhapet në shoqërinë shqiptare, duke thënë që unë po dashuroj këtë tjetrin, unë po lidhem me këtë tjetrin, se dashuria është një ndjenjë e lirë etj., etj,. Në qoftë se i ke hyrë një martese, një institucioni që e ke krijuar vetë, do të thotë që duhet të mbash përgjegjësi. Shoqëria shqiptare është në një krizë të thellë dhe kam përshtypjen që kjo krizë do të vijë duke u thelluar”, thotë sociologu Gëzim Tushi.
“Përsa i përket rastit të foshnjës së braktisur në bodrum pallati, nga nëna që e solli në jetë e që fatkeqësisht fëmija ndërroi jetë, unë kam këtë mendim. Kjo shoqëria jonë ka një deficit demografik, dhe ka njerëz që duan fëmijë. Pra në vend që t’i hedhim nëpër kosha dhe nëpër bodrume, këto pjella të dashurisë apo të aksidentit seksual, është shumë mirë t’i çojmë në Shtëpinë e Fëmijëve, sepse ka jashtëzakonisht shumë kërkesa brenda dhe jashtë vendit për të birësuar fëmijë. Ka çifte që ç’nuk bëjnë për të patur një fëmijë. Dhe unë besoj që më mirë sesa një familje biologjike e cila nuk prindëron dot, është një familje adoptive, e cila mund ta luajë shumë mirë rolin për këta fëmijë. Kështu që ai fëmijë i braktisur dhe i hedhur si një qese plehrash, mund të ishte fare mirë biri i një familje shumë të konsoliduar dhe që mund ta trajtonte atë si birin e vet”, u shpreh sociologu.
Top Channel