Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili është nën hetim për çështjen e “Gërdecit”, në një reagim të bërë pas seancës së sotme, shkruan se drejtësia nuk mund të jetë kurrë e drejtë, nëse bën një padrejtësi të re.
Mediu ka hedhur akuza ndaj procesit gjyqësor, që e cilëson të paligjshëm.
“Nuk ka asnjë interes politik, proces, shpërblim apo ndëshkim që zhbën tragjedinë, ku humbën jetën 26 persona dhe kjo ka qenë arsyeja që kam dhënë dorëheqjen si Ministër i Mbrojtjes. Por drejtësia nuk mund të jetë kurrë e drejtë, nëse bën një padrejtësi të re.
Në lidhje me (pa)ligjshmërinë e procesit dua të vë në dukje se drejtësia nuk mund të bëhet kurrë e tillë, kur qëllimi i saj bëhet politika apo manipulimi i opinionit publik dhe jo zbatimi i ligjit dhe i Kushtetutës. Për këtë do të kemi rast të flasim më gjatë një herë tjetër. Jam i vendosur të mbroj vendimet e mia të drejta dhe të ligjshme“.
Sipas ish-ministrit, asnjë nga dëshmitarët në proces, nuk ka folur kundër tij. Procesi gjyqësor është përqendruar te dëshmitë e familjarëve që kanë humbur të afërmit apo ish të punësuarve, specialistëve ish-ushtarakë në fabrikën e Gërdecit, shkruan ai.
“Dëshmitarët janë thirrur nga akuza, por, deri tani, asnjë dëshmitar nuk ka bërë qoftë edhe dëshminë më të vogël kundër meje. Dëshmitarët e akuzës kanë provuar se nuk kam patur asnjë lidhje me zbatimin e procesit. Ata kanë pohuar se nuk kam qenë kurrë në fabrikën e demontimit apo të kem pasur lidhje, qoftë edhe spontane me ata që janë marrë me këtë proces”.
Mediu thekson se nuk mban asnjë përgjegjësi, pasi “si ministër i Mbrojtjes nuk kam shkelur ligjin, nuk kam favorizuar askënd, kam respektuar opinionin e ekspertëve ushtarakë, dhe Shefit të Shtabit. Në detyrën time jam drejtuar nga interesi publik shtetëror, jo nga interesi privat“.
Tetë persona dëshmuan sot në seancë, mes tyre edhe ish-ushtarakë që përfunduan duke punuar në fabrikën e demontimit.
Punonjësi Julian Pando tha se kishte pasur edhe raste të tjera të zjarrit në fabrikën e demontimit të armëve, të cilat i kanë fikur me fikëse zjarri dhe ujë. Ai u shpreh gjatë seancës se ditën e shpërthimit nuk kishte parë njeri të tentonte të fikte zjarrin dhe se atë ditë kishte më shumë barut se ditët e tjera.
Ndërsa Petrit Behari, specialist dhe ushtarak gjatë dëshmisë së tij, tha se në fabrikën e demontimit të armëve punohej pa rregulla. Sipas tij, sasia e barutit sa vinte dhe shtohej në vendin ku ai punonte.
Ndërkohë, seanca ndaj Ish-ministrit Fatmir Mediu u shty në datën 16 nëntor, në orën 10:00, ku pritet të shkojnë shtatë dëshmitarë.
Top Channel