Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka sjellë detaje të reja nga dëshmitë në gjyqin për çështjen “Gërdeci”.

Tetë persona dëshmuan sot, mes tyre edhe ish-ushtarakë që përfunduan duke punuar në fabrikën e demontimit.

Petrit Behari, specialist dhe ushtarak gjatë dëshmisë së tij, tha se në fabrikën e demontimit të armëve punohej pa rregulla.

Sipas Anila Hoxhës, ai shtoi se sasia e barutit sa vinte dhe shtohej në vendin ku ai punonte.

Dëshmitë e plota:

Murat Zguri: Isha shofer kamioni. Shtëpia ime është 100 metër larg shtëpisë së Qemal Deliut. Gruaja ime, punonte aty me barut. Kam pasur saldatriçe, veglat e mia të punës qëndronin te shtëpia e Qemalit. Ai e ka pasur më shumë saldatriçe se unë në shtëpi. Nuk e di për çfarë e ka përdorur.

Visha: Ai e kishte te shtëpia e tij saldatriçen. Ka qenë usta i kujdesshëm, por nuk e di a e ka përdorur për Gërdecin. E kam parë duke salduar në bodrum.

Për procesverbalin e 2008-ës, Matliaj kundërshton dëshmitarin, thotë se e ka parë Qemal Deliun duke salduar në pjesën e pasme të shtëpisë.

Petrit Behari, specialist, ushtarak: Na thanë do kishim 5 grupe, por përfunduam me 20. Kujdesesha që djegorja të mos prekte gëzhojën. Demontimi i predhave 100 mm bëhej me forcën e krahut te muri. Dritan Minxolli na shikonte me urrejtje, nuk e di pse. Në vendet e tjera ku kam punuar, kemi bërë instruktazh, në Gërdec jo. Nuk kishte rregulla, aty çdo gjë ishte pa rregulla. Gëzhojat i thamë Mihalit janë shumë. Mihali tha, do t’i seleksionojmë, se është fillimi, por aty sasia e barutit u bë çdo ditë më e madhe. Baruti transportohej me karrocë. Kishte raste që karrocat prisheshin, te nesërmen vinin të salduara. Në momentin e shpërthimit, shikoj flakë nga hyrja. Sasi e tillë baruti, nuk shuhet me fikëse zjarri, duhet të largohesha.

Seanca ndaj Ish-ministrit Fatmir Mediu shtyhet në datë 16 ora 10:00, ku pritet të shkojnë  shtatë dëshmitarë.

Top Channel