Së shpejti BE pritet të ketë rregulla më të rrepta për reklamat politike në rrjetet sociale. Edhe ndikimi nga shtete të treta, në zgjedhjet e vendeve anëtare të BE-së do të ndalohet.

Mikrotargeting është prej kohësh pjesë e mediave sociale. Fjala është për reklamat që partitë politike bëjnë me adresim tek targetgrupe të caktuara të  zgjedhësve. Gjatë këtij procesi grumbullohen të dhëna të personave nga mediat sociale për t’i kontaktuar direkt këto targetgrupe. Këtë strategji të komunikimit politik, Barack Obama e ka përdorur që në vitin 2008-të. Por ajo u përfol shumë dhe u bënë publike praktikat që përdorte agjencia e rrjeteve sociale, Cambridge Analytica. Kjo agjenci që ka punuar ndër të tjera për ekipin e zgjedhjeve të Donald Trump ka zotëruar në mënyrë jo ligjore të dhëna të miliona përdoruesve në Facebook.

Kufizim i Mikrotargeting

Mikrotargeting-u nuk do të jetë lejohet në të ardhmen pas ligjit të ri. Këtë javë si Këshilli i BE edhe Parlamenti Europian ranë dakord për ligjin e ri, i cili tashmë pritet të votohet vetëm formalisht. Ky ligj parashikon që, të dhënat e personit të prekur lejohet të mblidhen vetëm atëherë, kur ai ka rënë shprehimisht dakord për përdorimin e tyre për qëllime politike. “Të dhëna të caktuara që japin informacion për përkatësinë etnike, qëndrimin politik apo orientimin seksual do të përjashtohen plotësisht”,  sipas njoftimit për media të Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE.

Martin Emmer profesor i komunikimit në Universitetin e Lirë të Berlinit nuk e ka quajtur këtë fundin e mikrotargetingut. Për partitë ai është një instrument i rëndësishëm për të arritur votuesit në mediat sociale. Kjo nuk anashkalohet dot më. Tek rregulloret e reja bëhet fjalë sidomos për të penguar procese të fshehta të influencimit, sipas Emmer, me tyre edhe ato ku njerëzit “marrin mesazhe sipas situatës së tyre jetësore, dhe ku pas tyre nuk mund të kuptosh asnjë ideologji partiake“.

Detyrim identifikimi si reklamë politike

Reklama politike duhet në të ardhmen të shenjohet që është e tillë. Rregullat e reja do të mundësojnë që të marrësh informacionin, se kush ndodhet pas reklamës. Përtej kësaj në plan afatamesëm është e përcaktuar të krijohet një arkiv i reklamave politike i hapur për publikun.

Në të ardhmen do të zvogëlohet ndikimi i vendeve jashtë BE-së tek vendet anëtare. “Tre muaj para zgjedhjeve ose një referendumi“, thuhet në njoftimin për shtyp të Parlamentit Europian, “do të ndalohet që të financohet publiciteti elektoral nga vende të treta”.

Sipas raportuesit të Parlamentit Europian, Sandro Gozi nga grupi liberal Renew në PE rregullat e reja do ta bëjnë të vështirë që aktorë të huaj të përhapin informacione të rreme dhe të intervenojnë në procese demokratike.

Mbrojtja nga ndikimi i huaj

Në Gjermani ky ligj mund të prekë votuesit me origjinë turke, të cilëve u adresohen politikanë turq. Edhe pse Rusia nuk përmendet me emër, bëhet fjalë edhe për përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim në BE. Që para zgjedhjeve të kaluara në BE, Komisioni Europian paralajmëroi ndërhyrjet ruse.

Studiuesi Emmer, dyshon se aktorët që iniciojnë një “luftë informacioni” do të tremben nga rregullorja e re e BE-së. Megjithatë ai beson, se ato mundësojnë më shumë kontroll nga BE dhe vendet anëtare. Ai përshëndet krijimin e arkivit të reklamave politike, që i mundëson botës studimore të trajtojë efektivitetin e masave. Shumica e këtyre rregulloreve nuk ka për të hyrë në fuqi para zgjedhjeve europiane vitin e ardhshëm. Aty parashikohet një afat tetëmujor që fillon, sapo vendet anëtare dhe Parlamenti Europian t’i kenë miratuar formalisht ato./DW

Top Channel