Rikthimi i reshjeve të shiut ka shkaktuar probleme edhe në territorin e bashkisë së Durrësit.
Mëngjesin e kësaj të mërkure, shumica e rrugëve dhe kryqëzimeve janë gjendur nën pushtetin e ujit duke shkaktuar probleme të shumta për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Probleme pati dhe në njësinë administrative të Sukthit ku shërbimi në qendrën shëndetësore u ndërpre deri në mesditë për banorët e zonës pasi ujërat depërtuan brenda qendrës shëndetësore.
“Ne u detyruam ta pastrojmë vetë. Është nën nivel. Ndoshta nga shirat e tepërt. Nuk e dimë arsyen. Gjithë ujërat e rrugës bien. Megjithëse ne e kemi vendosur një bordurë, ka qenë e madhe sasia e ujit.
Këto kohët e fundit kemi pasur shumë probleme me shirat. E rëndësishme është ta vejmë në funksionim sa më shpejt që dhe qytetarët të marrin shërbimin e merituar”- tha Mirjan Beu, drejtues i QSh Sukth.
Situata është kritike edhe për familjen Dosku e cila jeton pranë Urës së Dajlanit në Durrës. Ujërat kanë depërtuar brenda shtëpisë duke e bërë të pabanueshme shtëpinë e kësaj familjeje me 4 anëtarë dhe një rrogë.
Ajo është në pritje të strukturave të mbrojtjes civile për t’i ardhur në ndihmë që të largohen ujërat qe kanë pushtuar të gjithë shtëpinë.
Top Channel